Kuvendi i Republikës së Kosovës

Fjalimi i kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, në Takimin e Nëntë të Komisionit të Përbashkët Parlamentar për Stabilizim Asociim

03.11.2022

Të nderuar Bashkëkryesues të Komisionit të Kuvendit të Kosovës dhe të Parlamentit Evropian, znj. Kusari Lila dhe z. Franz,

E nderuar nënkryetare Bogujevci,

Të nderuar deputetë nga Parlamenti Evropian dhe Kuvendi i Republikës së Kosovës,

I nderuar ministër Krasniqi,

Të nderuar ambasadorë Szunyog dhe Bajrami,

Të nderuar të pranishëm,

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Së pari ju dëshiroj mirëseardhje në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe ju uroj për punimet në kuadër të Komisionit të Përbashkët për Stabilizim Asociim. Në Legjislaturën tonë VIII ky është takimi i tretë, ndërsa prej kur ekziston ky komision i përbashkët midis Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Parlamentit Evropian, është takimi i nëntë.

Unë ju dëshiroj punë të mbarë në drejtim të bashkëpunimit sa më të ngushtë, në mënyrë që t’i kryejmë të gjitha detyrat dhe punët e nevojshme, për ta afruar edhe më shumë Republikën e Kosovës drejt Bashkimit Evropian.  

Republika e Kosovës dhe Kuvendi në veçanti, me punën, përkushtimin dhe kontributin e tyre kanë dëshmuar në përafrimin dhe bashkërendimin e politikave me ato të Bashkimit Evropian.

Në kohërat që po jetojmë sot, po e shohim qartë se prej botës politike autokratike po luftohen dhe kërcënohen demokracia, paqja dhe stabiliteti. Por ne jemi këtu që t’u sigurojmë se dizajnimi i politikave tona do të jetë i përbashkët, të cilat kontribuojnë në krijimin dhe mirëmbajtjen e një uniteti të pathyeshëm.

Republika e Kosovës në politikat e saj strategjike të orientimit rreshtohet fuqishëm krahas BE-së, SHBA-ve dhe NATO-s, për paqe e stabilitet. Ne e dënojmë fuqishëm agresionin okupator rus mbi Ukrainën dhe qëndrojmë në anën e Ukrainës, duke iu bashkuar të gjitha sanksioneve të BE-së e SHBA-ve kundër Federatës Ruse. Prandaj vazhdojmë aktivisht të punojmë dhe të kontribuojmë për të mirën e përbashkët evropiane.

Ne e duam paqen dhe stabilitetin në rajonin tonë, por jemi plotësisht të vetëdijshëm se këtë paqe dhe këtë stabilitet po e kërcënon dhe po e minon Serbia. Koncentrimi në ditët e fundit i forcave ushtarake të Serbisë dhe grumbullimi i tyre përgjatë kufirit me Kosovën nuk është mesazh dhe porosi e një shteti që dëshiron të ndërtojë marrëdhënie të mira fqinjësore me Kosovën. Prandaj, si veprim i tillë duhet të dënohet prej të gjithëve, duke përfshirë edhe Bashkimin Evropian.

E di se në këtë takim do të diskutoni edhe për çështje vitale e sektoriale në interes të progresit të Kosovës në kuadër të procesit të integrimeve evropiane, kështu që më lejoni të ndajë me ju tri arritje tona, të cilat janë përmendur dhe janë përshëndetur edhe nga Bashkimi Evropian dhe Parlamenti Evropian.

Miratimi i Rregullores së re të Punës së Kuvendit të Republikës së Kosovës adreson shumë hapësira ligjore. Puna në këtë rregullore ka treguar që kur e kemi parasysh interesin tonë të përbashkët publik, bëhen bashkë pozita dhe opozita, për t’i shtyrë proceset përpara së bashku. Rregullorja e Kuvendit është njëri prej këtyre shembujve. Me miratim të kësaj rregulloreje u konfirmua pra edhe njëherë konsensusi i përgjithshëm për çështjet e interesit të përbashkët publik.

Themelimi dhe fillimi i punës së Komisionit ad hoc për Reformë Zgjedhore, e cila potencohet vazhdimisht nga Bashkimi Evropian dhe inkurajon që ta kryejmë edhe këtë reformë shumë të rëndësishme, në mënyrë që të ecim përpara. Ju e dini që Bashkimi Evropian ka Misionin për vëzhgimin e zgjedhjeve dhe rekomandimet e komisionit, në të cilin një punë të shkëlqyeshme e ka bërë edhe eurodeputeti Lukas Mandl, do të trajtohen nga komisioni i përbashkët pozitë-opozitë, në mënyrë që ta përmbyllim edhe këtë reformë shumë të rëndësishme për Kosovën, e cila me siguri do të marrë vlerësime pozitive dhe do ta shtyjë Kosovën edhe një hap më tutje në procesin e integrimit evropian.

Po ashtu Kuvendi po vazhdon ta kryej punën e vet. Vetëm gjatë këtij viti kemi arritur t’i miratojmë mbi 80 ligje të rëndësishme. Po ashtu kemi edhe 35 marrëveshje me Bashkimin Evropian në shumë fusha vitale, të cilat e ndihmojnë shumë Kosovën, përfshirë këtu marrëveshjet e IPA-s, ato në fushën e doganave, financave, arsimit e të tjera. Këto marrëveshje po ashtu konfirmojnë orientimin e palëkundur të Kosovës që të bashkëpunojë sa më thellë me BE-në drejt fazave të ardhshme, deri në stacionin e fundit, që është anëtarësimi ynë i plotë në këtë institucion të rëndësishëm të vlerave, të drejtave të njeriut, të sundimit të ligjit e të demokracisë.

Për fund, dua të theksoj se ndihem i nderuar dhe njëherësh i vëmendshëm për të gjitha sugjerimet dhe rekomandimet që burojnë nga punimet e takimeve të këtij komisioni, të cilat për Republikën e Kosovës janë udhërrëfyes shumë i rëndësishëm i kritereve dhe reformave që duhet kryer në kuadër të rrugëtimit tonë në BE.

Duke ju falënderuar për vëmendjen e kohën, ju uroj punime të suksesshme në komision dhe qëndrim të këndshëm në Republikën e Kosovës.

Ju faleminderit!