Kuvendi i Republikës së Kosovës

Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm mbajti takim lidhur me zbatimin e Agjendës 2030 në Kosovë

17.12.2020

Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm, nën udhëheqjen e Albena Reshitajt, kryetare, ka mbajtur sot takim për të diskutuar rreth 17 objektivave të Mijëvjeçarit, përkatësisht, zbatimit të Agjendës 2030 në Kosovë. 

Me theks të veçantë, u diskutua për objektivat të cilat pritet të përmbushen në kuadër të planprogramit të Këshillit për vitin e ardhshëm. 

Takimin e hapi kryetarja Reshitaj, e cila pasi i falënderoi të pranishmit por edhe ata të kyçur përmes platformës online, tha se Kosovës do t’i duhet të punojë në përmbushjen e Agjendës 2030, agjendë kjo e planifikuar nga ana e Këshillit. 

Sipas Reshitaj viti 2020 ka qenë një vit i vështirë për të gjithë, megjithatë, sipas saj, duhet të vazhdohet të punohet fuqishëm në përmirësimin e jetës së qytetarëve të Kosovës.

“Duhet të vazhdojmë të punojmë në 17 objektivat të cilat i kemi përpara”, tha Reshitaj.

Në emër të Kryesisë së Kuvendit dhe të kryetares Osmani foli nënkryetarja Arbërie Nagavci, e cila u shpreh se Kosova ka shumë miq të cilët po ndihmojnë atë në secilin hap. 

Ajo tha se objektivat për zhvillim të qëndrueshëm janë synim dhe interes i të gjithëve dhe se nëpërmjet këtij këshilli duhet të punohet për përmbushjen e të gjitha objektivave. 

“Objektivat për zhvillim të qëndrueshëm janë janë agjenda jonë e përbashkët e cila na prinë për të përmirësuar nivelin e mirëqenies për të gjithë”, theksoi Nagavci. 

Në emër të qeverisë, zv/kryeministri Besnik Tahiri tha se ekzekutivi është i përkushtuar për t’i përfshirë 17 objektivat dhe njëkohësisht të marrë përgjegjësi për to. 

E pranishme ishte edhe Ulrika Richardson, Koordinatore për Zhvillim e Kombeve të Bashkuara në Kosovë, e cila përmendi edhe ngrohjen globale si një sfidë në të cilën duhet të punohet më shumë. Ajo tutje premtoi se Kosova ka shumë miq ndërkombëtarë të cilët do ta mbështesin atë në secilin hap. 

Takimi vazhdoi me diskutime të pjesëmarrësve të tjerë, të cilët theksuan nevojën që Kosova të jetë pjesë e përhershme e këtij procesi dhe njëkohësisht të rris angazhimet për përmbushjen e objektivave.  

Këshilli për Zhvillim të Qëndrueshëm është grup joformal i Kuvendit, qëllim kryesor i të cilit është t’i bashkojë parlamentarët dhe përfaqësuesit e tjerë institucionalë, organizatat ndërkombëtare dhe institutet - organizatat e shoqërisë civile, për t’u koordinuar për një aksion të përbashkët në arritjen e 17 objektivave zhvillimore në Kosovë, të njohura si Objektivat për Zhvillim të Qëndrueshëm (OZhQ-të) apo Agjenda 2030.