Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi vazhdoi punimet e seancës plenare

11.12.2020
Kuvendi i Kosovës, sot vijoi punimet me pikat në vazhdim të seancës plenare të datës 10 dhjetor 2020.
 
Drejtuesja e seancës, nënkryetarja e Kuvendit, Arbërie Nagavci, i filloi punimet me votimin e pikave të mbetura nga dita e djeshme: rezolutës të propozuar nga deputetja Mimoza Kusari-Lila dhe grupi i deputetëve mbështetës dhe Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për letërnjoftim, të cilat përsëri u shtynë për mungesë kuorumi.
 
Më pas seanca vijoi me shqyrtimin e pesë raporteve vjetore: raportit të Zyrës së Rregullatorit për Energji, për vitin 2019, raportin të Autoritetit Rregullator të Komunikimeve Elektronike dhe Postare, për vitin 2019, raportin të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2018, raportin të Ndërmarrjes Publike Operatori i Sistemit, Transmisionit dhe Tregut, për vitin 2019 dhe raportin për gjendjen e mjedisit në Kosovë 2018 – 2019, për të cilat nuk pati kuorum për vendimmarrje. 
 
Pas kësaj kryesuesja e seancës vijoi punimet me debatin parlamentar për luftimin dhe parandalimin e dhunës në familje me rastin e fushatës sensibilizuese në kuadër të 16 ditëve të aktivizimit kundër dhunës në baza gjinore, sipas kërkesës së deputeteve Vlora Limani Hajnuni dhe Lirije Kajtazi, të mbështetura nga 8 deputetë tjerë. 
 
Deputetja Vlora Limani Hajnuni, e cila e mori fjalën si iniciuesve e këtij debati, ndër të tjera theksoi se, fatkeqësisht edhe për shkak të Covid 19, po vijon rritja e numrit të dhunës në familje. 
 
Sipas saj, në vitin 2018 katër gra janë vrarë si pasojë e dhunës në familje, e njëjtë ka ndodhur edhe në vitin 2019. Deputetja Limani-Hajnuni  theksoi se vetëm në këtë vit ka pasur gjashtë viktima të dhunës në familje që kanë përfunduar me fatalitet, përfshirë edhe një vajzë 9 vjeçare.
 
“Kjo tregon se institucionet e Kosovës ende nuk kanë arritur të krijojnë mekanizëm efektiv për ta parandaluar dhe luftuar dhunën në familje. Për më tepër, jo rrallë herë shohim një drejtësi selektive nga institucionet tona të rendit dhe ligjit, kur trajtohen rastet e dhunë në familje”, tha deputetja Limani-Hajnuni.
 
Pas prezantimit të iniciueses në lidhje me debatin folën edhe përfaqësuesit e grupeve parlamentare.
 
Në emër të Lëvizjes Vetëvendosje fjalën e mori deputetja Saranda Bogujevci, e cila tha se përfshirja e Konventës së Stambollit në Kushtetutën e Kosovës paraqet përparim të Kosovës në mbrojtjen e grave nga dhuna në familje. 
 
“Pavarësisht kësaj, dhuna në familje në Kosovë mbetet shqetësuese dhe ka ngecje në zbatim të ligjit”, tha Bogujevci.
 
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së foli deputetja Saranda Musliu, e cila tha se numri i madh i dhunës në familje duhet të alarmojë institucionet për veprime të shpejta.
 
“Ka raste të dhunës së familje që nuk lajmërohen fare në Polici dhe ne duhet të tregojmë më shumë kujdes së bashku edhe me organizatat e shoqërisë civile, të cilat shumë herë e kanë kërkuar mbështetjen e politikës”, tha Musliu.
 
Besa Ismaili, nga Grupi parlamentar i PDK-së, tha se denoncimet e shumta për dhunën ndaj grave nuk janë pasqyra reale e këtij fenomeni dhe se autorët e këtij fenomeni në të shumtën e rasteve po lihen të lirë.
 
“Por janë edhe ata zërat e heshtur, të cilët nuk e kanë guximin të flasin si pasojë e mos ndihmës institucionale”, tha Ismaili.
 
Deputetja Teuta Haxhiu, në emër të AAK-së, tha se edhe në ditët kur po mbahet fushata senzibilizuese kundër dhunës në baza gjinore, ka raste të raportimit të dhunës në familje dhe në baza gjinore. 
 
“Ne duhet të angazhohemi maksimalisht dhe duke avokuar sa më shumë që të jetë  e mundur të ndryshojmë situatën për të mirën tonë të përbashkët, sepse vetëm me këtë mund të krijohet një shoqëri e shëndoshë dhe pa dhunë”, tha Haxhiu.
 
Në emër të Qeverisë, ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Skënder Reçica, tha se dhunën në familje duhet sanksionuar dhe dënuar bazuar në legjislacionin vendor dhe bazuar në konventat ndërkombëtare për parandalimin e dhunës ndaj grave. 
“Me ligjin aktual për shërbimet sociale dhe familjare, është përcaktuar roli dhje përgjegjësia në fushën e shërbimeve sociale të nivelit qendror, lokal si dhe përfshirja e sektorit jo qeveritar në ofrimin e shërbimeve sociale dhe familjare”, tha Reçica.
 
Sipas tij, në bazë të të dhënave që posedon MPMS-ja, ka rritje të numrit të dhunës tek gratë,e  që sipas tij një rritje shqetësuese është vërejtur gjatë kohës së pandemisë COVID-19.
 
Në lidhje me këtë debat folën edhe deputetë tjerë. Pas përfundimit të diskutimeve, iniciuesja e debatit, Vlora Limani-Hajnuni, propozoi një rezolutë, me anë të së cilës kërkohet nga Qeveria e Republikës së Kosovës, angazhim më i madh dhe koordinimin efektiv të mekanizmave shtetërorë për parandalimin e dhunës në familje dhe kërkoi nga deputetët që ta votojnë atë.
 
Projektrezoluta e propozuar nuk u hodh në votim për shkak se nuk kishte kourum.
Në këto rrethana seanca ndërpreu punimet, ndërsa për vazhdimin e saj do të vendosë Kryesia e Kuvendit.