Kuvendi i Republikës së Kosovës

Ministri Zemaj raportoi para Komisionit për Shëndetësi, Punë dhe Mirëqenie Sociale

15.12.2020

Nën udhëheqjen e Albena Reshitajt, kryetare, Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, në të cilën i ftuar për raportim ishte ministri i Shëndetësisë, Armend Zemaj.

 

Ministri Zemaj para anëtarëve të komisionit foli lidhur me menaxhimin e situatës me virusin COVID-19.

 

Ai duke iu përgjigjur pyetjeve të deputetëve, përmendi se zbutje të masave nuk do të ketë. Tutje, Zemaj u shpreh se po punohet në sigurimin e vaksinës COVAX.

 

“Angazhimi dhe përkushtimi për sigurimin e vaksinës anti-Covid na takon edhe në negocim edhe në plan dhe veprim. Po e trajtojmë me seriozitet marrjen e vaksinës. Fati i mirë është që kemi miq të mirë që do ta mbështesin Kosovën edhe në situata të ndërlikuara”, tha ministri Zemaj.

 

Vëmendje mori edhe çështja e mungesës së oksigjenit. Nga ana e deputetëve u kërkua sqarim nga ministri Zemaj dhe ushtruesi i detyrës së drejtorit të Shërbimit Spitalor Klinik Universitar të Kosovës, Valbon Krasniqi, se si qëndron gjendja me oksigjen. Sipas Krasniqit, oksigjeni sigurohet çdo ditë dhe se lajmi për mungesë oksigjeni, sipas tij, nuk është i vërtetë.

 

Në mbledhje gjithashtu u kërkua nga ministri që të punohet më shumë, ngase, sipas anëtarëve të komisionit, numri i të infektuarve dhe i viktimave nga COVID 19 mbetet shumë i lartë.