Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Buxhet dhe Transfere

16.12.2020

Komisioni për Buxhet dhe Transfere, kryesuar nga kryetari Hekuran Murati, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti vjetor financiar i Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2019.

Raportin vjetor financiar të AKP-së për vitin 2019, para deputetëve e prezantoi dhe arsyetoi anëtari i Bordit të AKP-së, Hajzer Salihu.

Salihu tha se AKP-ja është një ndër institucionet e vetme që nuk e harxhon buxhetin në luks, pasi që mëditjet, udhëtimet zyrtare e shumë kategori të tjera, sipas tij, nuk i konsumojnë, ndërsa shtoi deri në fund të vitit 2019, në këtë agjenci kanë qenë të punësuar 247 zyrtarë.

Salihu tha se te kategoria mallra dhe shërbime buxheti fillestar i aprovuar ka qenë 2 milionë e 714 mijë euro, ndërsa shpenzimi deri në fund të vitit 2019 ka qenë 1 milion e 911 mijë euro. Rrjedhimisht, sipas tij, i bie që AKP-ja ka arritur të kursejë rreth 803 mijë euro nga shpenzimi në këtë kategori.

Ndërkohë që përmendi edhe raportin e auditorit, në të cilin, siç tha ai, janë dhënë vetëm 4 rekomandime,  dhe edhe ato janë adresuar nga AKP.

Pas prezantimit të debatit, kryetari Murati hapi diskutimin për anëtarët e Komisionit, të cilët adresuan shumë pyetje drejt përfaqësuesve të AKP-së, kryesisht në lidhje me pronat, asetet, paratë nga privatizimi dhe çështje që ndërlidhen me fushëveprimtarinë e AKP-së.

Pas shterjes së debatit, raporti vjetor financiar u hodh në votim, duke marrë shumicën e votave të anëtarëve të Komisionit. 

Pas kësaj pike, mbledhja vijoi me votimin e raportit vjetor financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për vitin 2019, e i cili u miratua me shumicë votash.

Ndërsa Projektligji  nr.07/L-041 mbi ndarjet buxhetore për Buxhetin e Republikës së Kosovës për vitin 2021, nuk u votua në mungesë të vendimmarrjes.