Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike

15.12.2020

Komisioni për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetari Bedri Hamza, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019, për Postën e Kosovës.
 

Raportin e auditimit për pasqyrat vjetore financiare të Postës, e prezantoi deputetja raportuese Arta Bajralia.
 

Në raportin e auditimit, sipas deputetes Bajralia ka keqmenaxhim me asete, ndërkohë që është dhënë opinion kundër, ku pasqyrat financiare nuk paraqesin një pasqyrë të drejtë.
 

Sipas saj, në këtë raport shpërfaqen në mënyrë direkte edhe dështimet e ndërmarrjes, e cila, siç tha ajo, është bërë barrë për buxhetin e shtetit.
 

Kryesuesi i Bordit të Postës së Kosovës, Leonard Shabanaj, tha se gjendja në ndërmarrje është shqetësuese dhe se humbjet janë milionëshe.
 

Shabanaj tha para deputetëve se nga menaxhmenti i Postës janë njoftuar se nga 25 rekomandimet e Zyrës Kombëtare të Auditimit, vetëm 11 janë zbatuar.
 

Ndërsa ushtruesi i detyrës së kryeshefit të Postës së Kosovës, Xhevdet Smakiqi, sqaroi se 11 rekomandime janë zbatuar, të tjerat janë në proces e sipër, ndërkohë që u zotua se deri në shkurt të vitit 2021 do të zbatohen të gjitha rekomandimet e dhëna nga ZKA.
 

Smakiqi potencoi edhe çështjen e pronave të Postës së Kosovës, ku sipas tij vetëm në veri të Kosovës, 19 nga këto prona që nga viti 1999 shfrytëzohen nga Posta shtetërore e Serbisë.
 

Edhe deputetët tjerë, anëtarë të Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike shprehën shqetësimet e tyre në lidhje me gjendjen e rëndë që është në Postën e Kosovës.
 

Kryetari i Komisionit Bedri Hamza tha se kjo situate, jo vetëm në Postën e Kosovës, por edhe në ndërmarrjet tjera publike është shqetësuese.
 
Ai kërkoi nga Bordi i Postës që sa më shpejt të plotësohen pozitat menaxheriale, sepse, sipas tij, me ushtrues detyre është e pamundur që të ndryshohet gjendja në Postë dhe në ndërmarrje tjera.
 

Mbledhja vijoi me diskutimet dhe pyetjet e deputetëve, të cilët morën përgjigje nga përfaqësuesit e Postës.
 

Në fund raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019 për Postën e Kosovës bashkë edhe me raporte tjera të ndërmarrjeve publike u lanë që të votohen në mbledhjen e ardhshme.
 

Për mbledhjen e radhës po ashtu u la që të shqyrtohet edhe raporti i auditimit për pasqyrat vjetore financiare të vitit 2019, për Kompaninë Rajonale të Ujësjellësit Hidroregjioni Jugor sh.a Prizren.