Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis

15.12.2020

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Infrastrukturë dhe Mjedis, mbajti sot mbledhjen e radhës, të kryesuar nga Liburn Aliu, kryetar, në të cilën u shqyrtua plani i performancës për vitin 2021 i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, si dhe plani i performancës për vitin 2021 i Autoritetit të Aviacionit Civil.

 

Bislim Zogaj, drejtor i Agjencisë për Menaxhimin e Komplekseve Memoriale të Kosovës, prezantoi planin vjetor të përformancës për vitin 2021. Zogaj deklaroi se aktivitetet e parapara për vitin e ardhshëm në kuadër të Departamentit të Financave dhe Shërbimeve të Përgjithshme do të fokusohen te sektori financa, administratë-personel, logjistikë, pastaj legjislacion, TI-GIS. Më pas Zogaj, theksoi se në kuadër të Departamentit të Planifikimit Projektimit dhe Menaxhimit të Komplekseve Memoriale do të punohet në planifikim, ekzekutim të punimeve, si dhe në menaxhimin e ruajtjes se tyre.

 

Pas shqyrtimit dhe pyetjeve të deputetëve, komisioni miratoi planin e performancës për vitin 2021 të AMKMK-së.

 

Në pjesën e dytë të mbledhjes së komisionit u shqyrtua edhe Plani i performancës i Autoritetit të Aviacionit Civil për vitin 2021. Drejtori i përgjithshëm i këtij autoriteti, Bujar Ejupi, paraqiti në mënyrë të përgjithshme aktivitetet e planifikuara të këtij autoriteti.

 

Ai bëri të ditur se AAC-ja do të veprojë në drejtim të arritjes së zbatimit të plotë të përgjegjësive rregullatore, siç janë: plotësimi i legjislacionit sekondar, certifikimi i operatorëve, licencimi i personelit të operatorëve, aprovimi i organizatave trajnuese, mbikëqyrja e vazhdueshme e operatorëve, raportimi i brendshëm dhe ndërinstitucional, implementimi i marrëveshjes mbi hapësirën e përbashkët ajrore evropiane, si dhe mirëmbajtja e sistemit të menaxhimit të cilësisë dhe përmirësimi i vazhdueshëm. Gjatë prezantimit të tij, Ejupi, ndër objektivë kryesore paraqiti anëtarësimin e AAC-së në organizata ndërkombëtare.

 

Pas diskutimeve dhe pyetjeve të deputetëve, plani i performancës i Autoritetit të Aviacionit Civil të Kosovës për vitin 2021, nuk u votua në mungesë kuorumi.

 

Plani pritet të votohet në një nga mbledhjet e radhës.