Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes

15.12.2020

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe të Mbrojtjes, kryesuar nga zv/kryetari i parë, Rasim Demiri, raportoi u.d drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, lidhur me zhvillimet e fundit në Policinë e Kosovës, si dhe për të gjeturat e raportit për vendin, për vitin 2020 të Komisionit Evropian.

Fillimisht, Mehmeti shpalosi në Komision detaje të aktiviteteve të Policisë së Kosovës gjatë këtij viti, duke treguar se numri i vrasjeve në Kosovë ka shënuar ngritje, sikurse edhe numri i rasteve të dhunës në familje. 

Përkitazi me dhunën në familje, një shqetësim që u ngrit nga anëtarë të Komisionit, Mehmeti theksoi se pandemia ka qenë një ndër shkaktarët kryesor të rritjes së këtyre rasteve. Ndërkaq, sa i përket çështjes së aksidenteve në komunikacion, ai tha se është shënuar një rënie, krahasuar me vitin paraprak.

Pas këtij raportimi, anëtarët e Komisionit, kërkuan sqarime të shumta nga Mehmeti. Me theks të veçantë u kërkuan të dhëna lidhur me numrin e policëve të infektuar nga pandemia Covid-19, dhunën në familje,  vjedhjet, pagesën e orëve shtesë të zyrtarëve policorë, çështjen e refugjatëve, suspendimet dhe transferimet e policëve, gjobat lidhur me mosrepektimin e masave anti-covid, çështjen e trafikimit të qenieve njerëzore dhe një varg çështje tjera që ndërlidhen me këtë institucion.

Sipas Mehmetit, vendimet e Qeverisë së Kosovës janë duke u respektuar nga ana e Policisë së Kosovës, ndërsa sqaroi se aktualisht janë 293 pjesëtarë të policisë raste aktive të infektuar me Covid-19, ndërsa në izolim janë 234 policë. Ai bëri të ditur se 12 policë kanë vdekur si pasojë e këtij virusi.