Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike

15.12.2020

Sot, Komisioni për Ekonomi, Punësim, Tregti, Industri, Ndërmarrësi dhe Investime Strategjike kryesuar nga  Endrit Shala, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës, duke proceduar me pikat e parapara për rend dite.

Meqë nga mbledhjet e kaluara ishte shteruar debati rreth Propozim - Vendimit të Qeverisë për zgjedhjen e bordit të ARKEP-it, lista me kandidatët potencialë për plotësim të tij, u hodh në votim, me ç’rast mori miratimin e anëtarëve të komisionit, për tu rekomanduar tutje për shqyrtim në ndonjërën nga seancat plenare.

Pastaj, për të raportuar rreth planeve të performancës për vitin 2021, të ftuar ishin përfaqësues nga agjencionet e pavarura, si: Zyra e Rregullatorit të Energjisë (ZRRE), Autoriteti Rregullativ i Komunikimeve Elektronike dhe Postare (ARKEP), Agjencioni Kosovar i Konkurrencës (AKK), Komisioni i Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM), si dhe Autoriteti Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU). 

Përfaqësues të secilit nga agjencionet e sipërpërmendura, shpalosën para anëtarëve të komisionit planet e performancës për vitin 2021, duke iu referuar aktiviteteve të parapara për të arritur objektivat e synuara. 

Në mesin e aktiviteteve të parapara, u përmend edhe puna që këto agjenci do ta bëjnë për ta fuqizuar transparencën, llogaridhënien dhe për të fuqizuar kapacitetet profesionale, që do të kenë ndikim direkt, në implementimin e të gjitha aktiviteteve të prezantuara në raportet e tyre.

Duke iu referuar planit të performancës të secilit agjencion në fjalë, anëtarët e komisionit parashtruan një sërë pyetjesh dhe pranuan përgjigje nga përfaqësuesit e agjencioneve.

Në vazhdën e diskutimit, këta përfaqësues shprehën qëndrime pozitive rreth ndikimit që do të kenë aktivitetet e parapara në përmirësimin e mëtutjeshëm të cilësisë së shërbimeve që ofrojnë dhe treguan gatishmëri që të mbulojnë secilin aktivitet të specifikuar në plan të performancës, gjithnjë duke respektuar legjislacionin në fuqi.

Pas një diskutimi interaktiv, komisioni përmbylli mbledhjen, duke potencuar se të gjitha agjencionet që kanë shpalosur planin e performancës për vitin 2021, do të njoftohen me kohë për vendimin e komisionit lidhur me miratimin e këtij plani.