Kuvendi i Republikës së Kosovës

U mbajt debati virtual “Rimëkëmbja Ekonomike”

15.12.2020

Për të diskutuar lidhur pasojat ekonomike të shkaktuara nga pandemia COVID-19 në Kosovë, për masat e ndërmarra për sanimin e tyre, si dhe për gjendjen ekonomike në përgjithësi në vendin tonë, Forumi për Transparencë Parlamentare mbajti sot debatin virtual me temën “Rimëkëmbja Ekonomike”.

 

Në debat morën pjesë përfaqësues të tri grupeve më të mëdha parlamentare, VV, LDK dhe PDK, përfaqësues të organizata e shoqatave të ndryshme ekonomike, si dhe përfaqësues të shoqërisë civile.

 

Debati u moderua nga Albana Rexha nga organizata Demokraci plus, e cila në hapje të tij, bëri një ekspoze të gjendjes aktuale në vend dhe sfidave me të cilët janë duke u përballur qytetarët dhe bizneset. 

 

Duke paraqitur pikëpamjet e GP të Vetëvendosjes përkitazi me temën e shtruar, deputetja Mimoza Kusari-Lila tha se asistenca shtetërore “Ligji për Rimëkëmbje” që qeveria aktuale ka ofruar për qytetarët dhe bizneset të cilat operojnë në Kosovë, është e vobektë dhe si e tillë dallon shumë nga Pakoja Emergjente Fiskale, e ofruar nga Qeveria Kurti.

 

Madje, Kusari-Lila theksoi se në bazë të këtij ligji, përveç që nuk ka kategorizim të sektorëve, përfitues më të mëdhenj janë pronarët e bizneseve, sesa vetë qytetarët.

 

Nga radhët e GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Shkelzen Hajdini tha se qëllimi i kësaj pakoje është që në kohë të vështira, si kjo me të cilët po ballafaqohen qytetarët e Kosovës dhe bizneset, ata të ndjejnë dorën e shtetit, ndërsa ekonomia ta shpëtojnë nga më e keqja.

 

Ndër të tjera, ai theksoi se edhe pse në fillet e para projektligji për rimëkëmbje nuk ka gëzuar përkrahjen e të gjitha partive politike, është për t’u vlerësuar, siç tha ai, reflektimi i PDK-së për mbështetje dhe votim të projektligjit.

 

Në anën tjetër, deputeti nga radhët e GP të Partisë Demokratike të Kosovës, Sejdi Hoxha, theksoi se për miratimin e këtij ligji, qeverisë aktuale iu janë dashur gjashtë muaj.

 

Duke folur për mbështetjen që GP i PDK-së ia dha në fund Ligjit për Rimëkëmbje Ekonomike, Hoxha u shpreh se kur është në pyetje mirëqenia e qytetarëve, partia që ai përfaqëson nuk heziton aspak të bashkëpunojë me partitë e tjera, qofshin ato në pozitë apo në opozitë. Siç tha ai, PDK-ja është opozitë e qeverisë, por jo e shtetit dhe qytetarëve.

 

Debati vijoi me diskutime nga pjesëmarrës të tjerë.

 

Sipas përfaqësuesit të Institutit Riinvest, Alban Hasani, në mënyrë që pakot tjera mbështetëse për qytetarët dhe bizneset të mos marrin kaq shumë kohë për miratim dhe të kalojnë pa preference partiake, brenda Kuvendit duhet të krijohet një konsenus bazik politik.

 

Ndërkaq, Nexhat Hasani, Kryetar i Shoqatës së Eksportueseve, tha se në situata të tilla, është mirë që qeveria të fokusohet dhe të asistojë në ato sektorë që janë ballë për ballë me rrezikun, e jo në sektorë që, sipas tij, në kohë pandemie nuk janë emergjente, siç është rasti me investime kapitale, me theks të veçantë ndërtimi i rrugëve të reja.

 

Diskutimet e pjesëmarrësve u pasuan me sqarime nga ana e deputetëve, të cilët elaboruan më gjerësisht pikëpamjet e tyre në çështjet e adresuara.

 

Debatet e këtij formati do të vazhdojnë edhe në të ardhmen, me tema të tjera.