Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dëgjim publik mbi Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore

12.10.2021

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, kryesuar nga znj. Duda Balje, kryetare e Komisionit, mbajti sot një dëgjim publik lidhur me Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe nga dhuna në baza gjinore.

Përveç anëtarëve të Komisionit, në dëgjim publik morën pjesë edhe përfaqësues të EULEX-it, EURS-së, UNWOMEN, Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Institucionit të Avokatit të Popullit të Kosovës, Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyrës për Mbrojtjen dhe Ndihmën ndaj Viktimave, si dhe të Shtëpive të Sigurta të Kosovës, si dhe përfaqësuesit e OJQ-ve, Rrjeti i Grave të Kosovës, KDI dhe Shpresa e Fëmijëve.

Duke folur për Projektligjin për parandalimin dhe mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore, kryesuesja e këtij dëgjimi publik, znj. Balje, theksoi se kjo nismë filloi në mandatin e kaluar të këtij komisioni dhe pritet që në këtë mandat kjo nismë të përfundojë me sukses, përkatësisht të miratohet Ligji për mbrojtjen nga dhuna në familje, dhuna ndaj grave dhe dhuna në baza gjinore. Njëkohësisht, zonja Balje theksoi që ky është versioni i parë dhe jozyrtar i projektligjit të lartcekur dhe se përveç anëtarëve të Komisionit, në hartimin e tij morën pjesë përfaqësues të Ambasadës Amerikane në Prishtinë, Agjencisë për Barazi Gjinore dhe disa përfaqësues të OJQ-ve.

Në vazhdim të këtij dëgjimi publik, u tha se në radhë të parë, sipas Kushtetutës së Kosovës dhe duke pasur parasysh Deklaratën e Stambollit dhe parimet e të drejtave të njeriut në tërësi, duhet të hartohet një ligj sa më i mirë, më i thjeshtë për implementim dhe sa më gjithëpërfshirës në këto fusha.

Gjithashtu, pjesëmarrësit e tjerë në këtë dëgjim publik e konsideruan të nevojshëm hartimin dhe miratimin e një ligj i ri në këto tri fusha, sa më shpejt të jetë e mundur dhe njëkohësisht përfshirjes në të, të situatës faktike në terren (fillimisht nëpër prokuroritë dhe gjykatat), që do të thotë, të shihet gjendja e vërtetë dhe nevojat e atyre që janë viktima të dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës në baza gjinore.

Në përfundim të dëgjimit publik, anëtarët e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione ranë dakord të marrin parasysh të gjitha opinionet dhe sugjerimet që dolën nga ky dëgjim publik, në mënyrë që të miratohet një ligj i ri i vlefshëm në të gjitha këto fusha dhe i cili do të tregonte në praktikë rezultate sa më të mëdha dhe më të frytshme.