Kuvendi i Republikës së Kosovës

Dënim maksimal për vrasësin e pergjegjësi prej zyrtarëve që e neglizhuan vrasjen në Llaushë

07.01.2022

Reagim i Grupit të Grave Deputete


Me shqetesim, dhimbje e trishtim të madh kemi ndjekur rastin e vrasjes së qytetares në Llaushë të Skenderajt. Femicidi, vrasja e grave, po thellohet si plaga më e rëndë e shtëtit tonë. Këto raste po marrin përmasa pandemike e ne duhet t'i trajtojmë sa më shpejt. 

Sot krimi nuk rëndon vetëm mbi kryersin e veprës por edhe mbi institucionet që ishin të paralajmëruara nga vetë viktima. Sipas informatave të publikuara, ajo kishte kërkuar mbrojtje të cilën nuk ia kishin ofruar Policia.

Neglizhimi i këtyre rasteve po çon në humbje jetësh. Dhuna në familje e dhuna ndaj grave nuk ka pushim. Andaj edhe institucionet duhet të mos e përdorin këtë arsyetim. Nuk ka pushim kur ka potencial për vrasje.

Ne si Grup i Grave Deputete kërkojmë që ky rast të trajtohet me seriozitetin dhe ndjeshmërinë maksimale. Kjo të vlejë edhe për kryersin e veprës e ashtu edhe nëse ka pasur neglizhencë si persona zyrtarë.