Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetët Dimal Basha dhe Fridon Lala përfaqësojnë Kuvendin në takimin e Komisionit Politik të AP të Frankofonisë, në Kanada

15.05.2022

Delegacioni i Përhershëm i Kuvendit të Republikës së Kosovës në Asamblenë Parlamentare të Frankofonisë (APF), në përbërje të deputetëve Dimal Basha, kryesues i Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Kosovës në APF dhe Fridon Lala, anëtar, është duke marrë pjesë në takimin e radhës së Komisionit Politik të Asamblesë, që po mbahet  në Asamblenë Kombëtare të Kebekut, në Kebek, Kanada.

Takimi u Kryesua nga Christophe-André Frassa (senator, Francë), Kryetar i Komisionit Politik të APF.

Përveç agjendës së zakonshme, Komisioni gjatë  këtij takimi do të shqyrtojë edhe dosjen e Kuvendit të Republikës së Kosovës për avancim të statusit në këtë organizatë. 

Lidhur me këtë, në emër të Delegacionit të Përhershëm të Kuvendit të Kosovës në APF,  deputeti Dimal Basha, njëherësh dhe kryesues i Delegacionit, do të përgjigjet në pyetjet e Kryetarit dhe anëtarëve të Komisionit Politik të APF.

Kuvendi i Republikës së Kosovës ka dërguar dosjen e aplikimit në Sekretariatin e Përgjithshëm të Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF) për të ndryshuar statusin nga anëtar vëzhgues në anëtar të asociuar në dhjetor të vitit 2021.

Në takimin e Byros së APF mbajtur me  27 dhe 28 janar 2022, në Libreville, dosja e cila synon ndryshimin e statusit të Kuvendit të Republikës së Kosovës, ka marrë dritën e parë jeshile nga anëtarët e Byrosë së Asamblesë Parlamentare të Frankofonisë (APF).

Sekretari i Përgjithshëm dhe Anetarët e Byrosë së APF-së kanë mbështetur kandidaturën e Kuvendit të Kosovës për avancim statusi, duke e dërguar dosjen për shqyrtim në Komisionin Politik.

Ndërsa, Komisioni Politik i APF-së, në takimet që po mbahen sot dhe nesër në Kebek, pritet t’i dërgojë një opinion Asamblesë së Përgjithshme rreth kërkesës së Kuvendit të Kosovës për vendimin përfundimtar, që pritet të mbahet në takimin e radhës, më 5 korrik 2022, në Rwanda.