Kuvendi i Republikës së Kosovës

Deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni takoi nxënës të shkollës "Shkëndija” të Prishtinës

17.06.2021

Deputetja Arbëreshë Kryeziu Hyseni zhvilloi sot një takim me nxënës filloristë të shkollës "Shkëndija” të Prishtinës, në kuadër të Programit “Ballë për ballë me deputetët”.

Në këtë takim, nën kujdesin e mësimdhënëses Nuhie Sadiku, nxënësit kishin rastin që në mënyrë interaktive të diskutonin me deputeten, duke shtruar pyetje dhe duke u njohur me shumë aspekte të punës së Kuvendit.

Duke shpalosur para nxënësve punën dhe përgjegjësitë që iu bien përsipër si përfaqësues të popullit, deputetja Arbereshë Kryeziu Hyseni dha përgjigje në një sërë pyetjesh të adresuara nga vet nxënësit, të cilat ishin të orientuara kryesisht në fushën e arsimit, pandemisë, ligjislative dhe intergimit në BE.

Programi “Ballë për ballë me deputetët” është përgatitur nga Instituti Kombëtar Demokratik (NDI) në mbeshtetje të USAID dhe me bashkëpunim me Drejtorinë për Media dhe Marrëdhënie me Publikun të Kuvendit të Kosovës, në përkrahje të Forumit për Transparencë Parlamentare.

Ky program u ofron deputetëve mundësi të ndikojnë në edukimin e të rinjve mbi vlerat demokratike.