Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere mbajti mbledhjen e radhës

22.09.2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kryesuar nga kryetari Armend Muja, mbajti sot mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtua raporti vjetor financiar i  Agjencisë Kosovare të Privatizimit për vitin 2020.

Raportin financiar para anëtarëve të Komisionit e prezantoi drejtori i përgjithshëm i AKP-së, Valon Tolaj, bashkë me anëtarët e Bordit të kësaj agjencie.

Tolaj tha se gjatë vitit 2020 AKP ka shpenzuar rreth 7 milionë euro, prej tyre mbi 5 milionë euro në paga e mëditje.

Kryetari i Komisionit Armend Muja shprehu interesim në lidhje me proceset që AKP ka në arbitrazh ndërkombëtar, ndërsa drejtori Tolaj u përgjigj edhe në pyetjet tjera të anëtarëve të Komisionit, që kishin të bënin me fushëveprimtarinë e Agjencisë Kosovare të Privatizimit.

Pas shterjes së diskutimeve, raporti vjetor financiar nuk u votua në mungesë të vendimmarrjes.

Mbledhja vazhdoi me shqyrtimin e Projektligjit nr.08/L-030, për ratifikimin e Amendamentit të Marrëveshjes së bashkëfinancimit për Projektin: “Programi mbështetës për ujësjellës dhe kanalizim në zonat rurale faza (Dalëse) IV”, ndërmjet Qeverisë së Republikës së Kosovës dhe Qeverisë së Zvicrës dhe Projektligjin për ratifikimin e marrëveshjes së financimit “Projekti emergjent i Kosovës për COvid-19 – financimi shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim.

Të dyja këto projektligje u prezantuan nga ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili kërkoi nga anëtarët e Komisionit që t’i mbështesin ato.

Sipas tij, marrëveshja e financimit “Projekti emergjent i Kosovës për Covid-19 – financimi shtesë”, në mes të Republikës së Kosovës dhe Asociacionit Ndërkombëtar për Zhvillim, ka të bëjë me financimin në fushën e shëndetësisë, kryesisht me furnizimin me vaksina.

Projektligjet e prezantuara nga ministri Murati, morën mbështetje të anëtarëve të Komisionit për Buxhet, Punë dhe Trasnfere dhe të njëjtit i rekomandohen Kuvendit në seancë të rregullt.

Komisioni po ashtu shqyrtoi raportin vjetor Financiar të Institucionit të Avokatit të Popullit për vitin 2020, të cilin e prezantoi Avokati i Popullit, Naim Çelaj. 

Pas prezantimit, votimi i raportit u shty për mbledhjen e ardhshme pasi që nuk kishte deputetë të mjaftueshëm për votim.