Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti shqyrtoi Projektligjin për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit

24.11.2022

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, kryesuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti sot mbledhjen e radhës, duke proceduar me shqyrtimin në parim të Projektligjit për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për mbrojtjen e konsumatorit. 

Projektligjin në fjalë e paraqiti dhe prezantoi ministrja e Industrisë, Ndërmarrësisë dhe Tregtisë, Rozeta Hajdari, e cila theksoi se ky projektligj i adreson problematikat praktike të mbrojtjes së konsumatorit, duke ofruar një sërë zgjidhjesh së mundshme.

Ministrja Hajdari theksoi se duke e synuar fuqizimin e rolit të konsumatorit për përfshirje aktive në treg, në projektligj janë përfshirë politika të mirëfillta që mbrojnë interesa ekonomike të konsumatorit, sigurojnë qarkullimin e lirë në treg, ndikojnë në konkurrencën e drejtë të tregut si dhe politika që mbrojnë qytetarët nga rreziqet potenciale të tregut.

Duke e vlerësuar relevancën e projektligjit në fjalë, pas një diskutimi konstruktiv, me shumicë votash anëtarët e komisionit e miratuan si të tillë, duke hapur rrugë për procedim të mëtutjeshëm në grupet punuese dhe në komisionet e tjera parlamentare.