Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Ekonomi… mbajti dëgjim publik me përfaqësuesit e bizneseve

23.07.2021

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti sot mbajti dëgjim publik në lidhje me mbikëqyrjen e zbatimit të Ligjit për shoqëritë tregtare.

Në dëgjimin publik udhëhequr nga deputetja Mimoza Kusari-Lila, ishin prezentë shoqata të bizneseve dhe përfaqësues të odave që përfaqësojnë bizneset e ndryshme në Kosovë.

Përveç deputetes Kusari-Lila e pranishme ishte edhe nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, Jeta Statovci dhe anëtari i këtij Komisioni, Driton Hyseni.

Deputetja Kusari-Lila theksoi se Ligji për shoqëritë tregtare në Kosovë nuk është duke u zbatuar në tërësi, me theks të veçantë sa i përket kuotës gjinore nëpër borde të kompanive. Sipas saj, një numër i vogël i kompanive në Kosovë po e zbatojnë këtë obligim që del nga ligji përkatës.

Nga ana tjetër, përfaqësuesit e bizneseve theksuan nevojën e ndryshimit të disa nga nenet e këtij ligji, pasi siç u shprehën ata po pengon në zhvillimin ekonomik të vendit dhe ardhjen e investitorëve nga jashtë.

Deputetja Kusari-Lila kërkoi nga përfaqësuesit e bizneseve të pranishëm që deri më 30 korrik t’i dërgojnë vërejtjet dhe propozimet në lidhje me Ligjin për shoqëritë tregtare, në mënyrë që të rregullojnë çështjet që ua lehtëson bizneseve operimin në Kosovë.