Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Legjislacion mbajti dëgjim publik për Projektligjin nr.08/L-015 për Gjykatën Komerciale

11.10.2021

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, në bashkëpunim me përfaqësues të institucioneve tjera, si dhe shoqërinë civile, mbajti sot dëgjim publik për Projektligjin nr.08/L-015 për Gjykatën Komerciale.

Kryesuesja e grupit punues të këtij projekligji, Doarsa Kica – Xhelili, e vlerësoi të domosdoshëm këtë projektligj për bizneset vendore dhe të huaja në Kosovë.

Ajo tha se sa i përket kësaj gjykate, janë disa elemente të përbashkëta për të gjithë.

“ E para, kemi vonesa të dëmshme në shqyrtimin e çështjeve komerciale”, tha Kica- Xhelili.

Këto vonesa, të cilat zgjasin me vite, shtoi ajo, po i bëjnë dëm jo vetëm bizneseve vendore, por po ndikojë negativisht edhe te invesitorët e huaj.

Më pas, Kica- Xhelili ftoi të pranishmit për bashkëpunim, duke kërkuar që të ndajnë sugjerimet dhe vërejtjet e tyre për Projektligjin nr.08/L-015 për Gjykatën Komerciale.

Në vazhdim, të pranishmit dhanë idenë, sugjerime dhe komente , duke u fokusuar kryesisht në pagat e gjyqtarëve dhe specifikimi i tyre, lokacioni i gjykatës etj.

Për këtë projktligj që parasheh krijimin e Gjykatës Komerciale, pati edhe hezitime dhe kundërshtime nga pjesëmarrësit.

Si përfundim, të gjitha rekomandimet, vërejtjet dhe sugjerimet nga ky dëgjim publik do të dërgohen edhe me shkrim te Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, të cilat më pas do të shqyrtohen dhe përfshihen në plotësimin e Projektligjit për krijimin e Gjykatës Komerciale në Kosovë.