Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë takoi Udhëheqësin e Zyrës së BE-së në Kosovë, Tomáš Szunyog

08.10.2021

Komisioni për Punë të Jashtme dhe Diasporë, kryesuar nga kryetari Haki Abazi,   zhvilloi sot një takim me Udhëheqësin e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Tomáš Szunyog, në të cilin temë diskutimi ishte agjenda dhe marrëdhëniet mes Kosovës dhe BE-së.

Samiti në Brdo të Sllovenisë, integrimi evropian, liberalizimi i vizave për Kosovën dhe çështja e dialogut me Serbinë, ishin disa nga temat që anëtarët e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë diskutuan me udhëheqësin e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Szunyog tha se shtetet anëtare të Bashkimit Evropian janë të përkushtuar për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor dhe kjo mbështetje, sipas tij, është e lidhur me progresin në fushën e sundimit të ligjit, atë socio ekonomike dhe përkushtimit ndaj vlerave evropiane.

Përfaqësuesi i BE-së u shpreh i kënaqur që Kuvendi i Republikës së Kosovës ka miratuar Programin Kombëtar për Zbatimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit 2021-2025 dhe Planin e Veprimit për zbatimin e agjendës për Reforma Evropiane.

Udhëheqësi i Zyrës së BE-së tha se pret nga Qeveria e Republikës së Kosovës që pas votimeve të këto dy dokumenteve, t’i ketë prioritet reformat për agjendën evropiane.

Anëtarët e Komisionit nga ana e tyre, u interesuan më shumë në lidhje me liberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës dhe dialogun me Serbinë.

Szunoyg tha se në konluzionet që kanë dalë nga Samiti i Brdos, nuk është përfshirë liberalizimi i vizave pasi që sipas tij, integrimi evropian dhe procesi i liberalizimit të vizave janë dy çështje të ndara.

Anëtarët e Komisionit theksuan nevojën për liberalizimin sa më të shpejtë të vizave për qytetarët e Kosovës dhe arritjen e njohjes reciproke nga Serbia.