Kuvendi i Republikës së Kosovës

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale mbajti mbledhjen e radhës

12.10.2021

Në mbledhjen e sotme të Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, drejtuar nga Fatmire Kollçaku, kryetare, ishte i ftuar ministri i Financave, Punës dhe Transfereve, Hekuran Murati, për të diskutuar lidhur me reformën në sistemin pensional në Kosovë.

Pas një prezantimi të shkurtër për ligjin e pensioneve dhe numrin e madh të skemave të tyre, kryetarja e komisionit, znj.Kollçaku, ia kaloi fjalën ministrit.

Ministri Hekuran Murati u ndal në sqarimin e situatës në të cilën ndodhet aktualisht Kosova me problemin e pensioneve, duke dhënë shpjegimet e duhura, lidhur me ligjin e pensioneve, si dhe numrin e madh të skemave të pensioneve të cilat kanë nevojë për një reformë.

Ai gjithashtu u ndal edhe në spjegimet për kategorinë e personave që nuk përfitojnë vitet e punës para luftës, për të cilët ligji aktual i ka përjashtuar nga kjo e drejtë, duke i kushtëzuar me 15 vite punë para periudhës së luftës.

Deputetët pjesmarrës pikërisht në këto fusha bënë pyetje të shumta, për të cilat ministri dha sqarimet dhe informacionet e nevojshme.