Kuvendi i Republikës së Kosovës

Konjufca: Zvicra është një vend mik dhe partner strategjik i Kosovës

08.04.2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly.
 
Ambasadori i Zvicrës në Kosovë, z. Thomas Kolly, uroi kryeparlamentarin Konjufca për detyrën e re në krye të Kuvendit të Kosovës, sidomos rëndësinë e konstituimit të institucioneve të dala nga zgjedhjet e 14 shkurtit.
 
Në takim është biseduar për përpjekjet e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë, me ç’rast të dyja palët kanë theksuar nevojën e zbatimit të masave mbrojtëse dhe se kjo situatë kërkon solidaritet, ndaj ka shfaqur shpresën edhe në ndihmën e shteteve mike.
 
Kryetari i Kuvendit, z. Konjufca, ka theksuar se marrëdhëniet bilaterale ndërmjet dy shteteve janë të shkëlqyeshme, gjithashtu ka shfaqur gatishmërinë për intensifikimin e bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.
 
Z. Konjufca ka falënderuar ambasadorin z. Kolly për mbështetjen e vazhdueshme që Zvicra i ka dhënë Kosovës, që nga periudha e paraluftës e në vazhdimësi si dhe ka theksuar se shteti zviceran është një vend mik dhe partner strategjik i Republikës së Kosovës.