Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryekuvendari Konjufca priti ambasadoren e Luksemburgut në Kosovë, znj. Natacha Gomes

13.04.2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z.Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim ambasadoren e Luksemburgut, znj.Natacha Gomes. 

 

Ambasadorja Gomes, me këtë rast, e ka uruar kryekuvendarin Konjufca për marrjen e detyrës së re në krye të Kuvendit të Kosovës.  

 

Duke përmendur rrethanat e reja politike në Kosovë, pas zgjedhjeve të 14 shkurtit, ambasadorja Gomes është shprehur optimiste përkitazi me krijimin e mundësive më të mëdha investuese, me theks të veçantë ardhjen e investitorëve të Luksemburgut në Kosovë. Ajo u zotua për vazhdimin e projekteve të mëparshme dhe konfirmoi gatishmërinë e shtetit të saj për mbështetjen e kapaciteteve të Kuvendit në ngritje të cilësisë së draftimit të ligjeve, si dhe premtoi projekte të përbashkëta me Kuvendin e Republikës së Kosovës.  

 

Nga ana e tij, kryekuvendari Konjufca e falënderoi ambasadoren për rolin aktiv të shtetit të saj, Luksemburgut, në mbështetje të vazhdueshme të institucioneve dhe shtetit të Kosovës. Z.Konjufca gjithashtu e njoftoi ambasadoren Gomes lidhur me agjendën dhe prioritetet e legjislaturës së 8-të, si dhe shprehu nevojën e një bashkëpunimi më të ngushtë mes Kuvendit të Kosovës dhe atij të Luksemburgut.