Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryeparlamentari Konjufca priti në takim ambasadorin e Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl

12.04.2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, z. Glauk Konjufca, sot ka pritur në takim ambasadorin e Norvegjisë, z. Jens Erik Grondahl.
 
Ambasadori i Norvegjisë në Kosovë, z. Jens Erik Grondahl, uroi kryeparlamentarin Konjufca për detyrën e re në krye të Kuvendit të Kosovës. Me këtë rast ai shprehu gatishmëri për të vazhduar bashkëpunimin me qeverinë e re dhe për t’i thelluar marrëdhëniet mes dy vendeve tona.
 
Në takim është biseduar edhe për përpjekjet e Kosovës lidhur me menaxhimin e pandemisë, me ç’rast z. Konjufca theksoi se shteti norvegjez meriton falënderim të veçantë për përpjekjet aktuale lidhur me sigurimin e vaksinave për qytetarët e Kosovës dhe formave të tjera të ndihmës konkrete rreth pandemisë. Ai tha se ndihma e Norvegjisë është shumë e çmuar për Kosovën.
 
Z. Konjufca ka falënderuar ambasadorin Grondahl për urimin, si dhe për bashkëpunimin në mes të dy shteteve, duke cekur sidomos projektin “Zhvillimi i Shërbimit Ligjor informativ për Kuvendin e Kosovës dhe Konsistenca Gjuhësore e ligjeve”. 
 
Z. Konjufca ka përmendur mbështetjen e vazhdueshme dhe substanciale që Norvegjia i ka dhënë Kosovës në fushën e sundimit të ligjit dhe ngritjen e kapaciteteve në sistemin e drejtësisë.