Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Ambasadoren Greke, Heleni Vakali 

20.05.2022

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga këshilltarët, priti sot në takim njoftues Shefen e Zyrës Ndërlidhëse të Greqisë në Kosovë, Ambasadoren Heleni Vakali. 

Kryetari Konjufca i shprehu mirëseardhje dhe e uroi për detyrën e re ambasadoren Vakali. 

Ai po ashtu i vlerësoi marrëdhëniet e mira  mes shteteve tona dhe çmoi përkrahjen e Greqisë, duke shprehur njëherësh gatishmërinë e avancimit të raporteve ndërshtetërore dhe thellimin e bashkëpunimit në projekte të ndryshme me interes të përbashkët. 

Kryetari i Kuvendit ritheksoi rëndësinë e njohjes së pavarësisë së Kosovës nga Greqia, mbështetjen për proceset e integrimit evropian dhe euroatlantik, si dhe kërkoi përkrahjen për liberalizimin e vizave, anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës dhe organizata tjera ndërkombëtare. 

Në takim u shpreh gatishmëria për forcimin e mëtejmë të marrëdhënieve dypalëshe ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Greqisë.