Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Glauk Konjufca priti në takim Imzot Vincenzo Paglia 

07.12.2022

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, ka pritur sot në takim Imzot Vincenzo Paglia, kryetar i Akademisë Papnore të Selisë së Shenjtë për Jetën dhe njëherësh Kancelar i Institutit Papnor Gjon Pali II, i cili shoqërohej nga Mario Giro, ish-zëvendës ministër i Jashtëm i Italisë. 
 
Kryetari Konjufca vlerësoi kontributin e Imzot Paglias dhe mbështetjen e Selisë së Shenjtë, duke rikujtuar me këtë rast angazhimin personal të Papa Gjon Pali II në përkrahje të aspiratave të popullit të Kosovës për liri dhe pavarësi. 
 
Gjatë bashkëbisedimit, Kryetari i Kuvendit theksoi se Republika e Kosovës shquhet për tolerancën fetare, promovimin e paqes dhe bashkëjetesën mes komuniteteve. Ai po ashtu nënvizoi rëndësinë e vendosjes së marrëdhënieve të plota diplomatike me shtetin e Vatikanit në përshpejtimin e procesit euro-integrues të Republikës së Kosovës. 
 
Në takim u konfirmua përkushtimi për avancimin e bashkëpunimit dhe përparimin e marrëdhënieve të ndërsjella me Selinë e Shenjtë.