Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari i Komisionit për Arsim, Ardian Gola, priti në takim zyrtarë të Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar

11.10.2021

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, priti sot në takim zyrtarë të Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar.

Kryetari Gola i njoftoi mysafirët lidhur me problemet dhe sfidat me të cilat është duke u përballuar arsimi në Kosovë, e veçanërisht me ato në sektorin e arsimit të lartë. Kryetari i komisionit adresoi problemet e fushës së arsimit, që nga ato të trashëguara nga vitet e ‘90-ta, deri tek problemet e natyrës sistemike, të cilat kanë të bëjnë me cilësinë në arsim, integritetin akademik, kapacitetet hulumtuese, rrjetëzimin ndërkombëtar etj.

Ai po ashtu shprehu vullnetin për të bashkëpunuar me përfaqësuesit e Këshillit Amerikan, përkatësisht me nismat në drejtim të përmirësimit të gjendjes në arsimin e lartë.

Përfaqësuesit e Këshillit Amerikan, Mark Taplin dhe Micheal Curtis, po ashtu ofruan gatishmëri të plotë për të mbështetur programe të ndryshme edukative që ndërlidhen me fushën e arsimit.

Në këtë takim u diskutua edhe për identifikimin e prioriteteve si dhe për zhvillimin e partneritetit dhe marrëdhënieve bilaterale ndërmjet institucioneve të Kosovës, përfshirë Komisionin për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, dhe Këshillit Amerikan për Edukim Ndërkombëtar.