Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari i Kuvendit kërkon nga presidentja zëvendësimin e deputetit Todosijeviq

25.11.2021

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i është drejtuar me një shkresë presidentes së Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani, nëpërmjet të cilës ka kërkuar zëvendësimin e deputetit Ivan Todosijeviq, të cilit i ka mbaruar mandati.

“Në mbështetje të nenit 70, paragrafi 4 të Kushtetutës së Republikës së Kosovës dhe të nenit 112.3 të Ligjit nr. 03/L-073 për Zgjedhjet e Përgjithshme në Republikën e Kosovës, kërkoj nga Ju që t’i ndërmerrni veprimet për zëvendësimin e deputetit, z. Ivan Todosijeviq, nga Subjekti Politik ‘Lista serbe’, të cilit i ka mbaruar mandati i deputetit në pajtim me nenin 70, paragrafi 3, pika (6) të Kushtetutës së Republikës së Kosovës, me një anëtar tjetër nga lista e kandidatëve të Subjektit Politik ‘Lista serbe’, në zgjedhjet e mbajtura më 14 shkurt 2021”, thuhet në shkresën e kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca.