Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kryetari Konjufca: Akademia e Shkencave dhe Arteve të Kosovës - bartëse e procesit të shtetndërtimit 

21.06.2022

Kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, i shoqëruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, si dhe shefi i Kabinetit, Ilir Kërçeli, vizituan Akademinë e Shkencave dhe Arteve të Kosovës (ASHAK), me ç’rast u pritën nga kryetari, akademik Mehmet Kraja dhe Kryesia e këtij institucioni. 

Me këtë rast, kryetari Konjufca vlerësoi lart rolin e ASHAK-së në proceset nëpër të cilat ka kaluar Kosova, si dhe kontributin e saj në shtetndërtimin e Kosovës. 

“Para se ta kemi shtetin, Akadema e Shkencave dhe Arteve të Kosovës ka qenë bartëse e procesit të shtetndërtimit, institucion ky i përbërë nga figurat më eminente, intelektualë të shquar, të cilët kanë dhënë kontribut të jashtëzakonshëm. Akademitë janë ato të cilat i hetojnë sfidat dhe më pas japin objektivat e tyre se si të zgjidhen këto sfida në shtet, por edhe në shoqëri. I tillë ka qenë edhe roli i Akademisë së Shkencave dhe Arteve të Kosovës”, theksoi kryetari Konjufca. 

Ndër tjera, ai tha se Kuvendi ka gatishmërinë për të qenë sa më afër ASHAK-së dhe për të punuar si dy institucione për proceset e rëndësishme të vendit. 

Kryetari i Komisionit për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, shtroi nevojën e ngritjes së një debati të gjerë, në mënyrë që punimet shkencore të studiuesve të Shkencave Albanologjike të njihen si të vlerëshme për avancime akademike. 

Ndërkaq, akademik Mehmet Kraja, pasi falënderoi kryetarin Konjufca për vizitën dhe ofrimin e gatishmërisë për thellimin e bashkëpunimit ndërmjet dy institucioneve, foli për projektet, konferencat dhe botimet e ASHAK-së. 

Po ashtu, akademik Kraja theksoi se krahas projekteve po punohet edhe për avancimin e rolit të ASHAK-së.