Kuvendi i Republikës së Kosovës

Kuvendi mbajti seancën e fundit për sesionin pranveror

04.08.2022
Kuvendi i Republikës së Kosovës, nën drejtimin e kryetarit Glauk Konjufca, mbajti sot seancë plenare.
 
Punimet e seancës filluan me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe me pyetjet e deputetëve drejtuar anëtarëve të kabinetit qeveritar.
 
Pas konsumimit të kohës dedikuar këtyre dy pikave, u parashtruan tri kërkesa për ndryshimin e rendit të ditës me pika shtesë.
 
Fillimisht, kryetari i Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe Mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, Adnan Rrustemi, kërkoi që me anë të mocionit procedural të shtohet si pikë e 23-të e rendit të ditës shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-060 për Mbeturinat.
 
Po ashtu, me anë të mocionit procedural, Fitore Pacolli Dalipi, kryetare e Komisionit për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim, kërkoi që të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji 08/L-83 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-08 për Verërat, përkatësisht të shqyrtohet si pikë e 24-të e rendit të ditës. 
 
Ndërkaq, me shmangie nga afatet kohore, Pacolli Dalipi kërkoi që të shqyrtohet në lexim të dytë Projektligji nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-197 për Kimikate, si dhe të futet si pika e 25-të e rendit të ditës.
 
Gjithashtu, Ardian Gola, kryetar i Komisioni për Arsim, Shkencë, Teknologji, Inovacion, Kulturë, Rini dhe Sport, kërkoi mocion për plotësimin e rendit të ditës.
 
Ai kërkoi që pikë e 26-të të jetë shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore.
 
Kërkesave të parashtruara për ndryshimin e rendit të ditës, deputetët me anë të votës i dhanë mbështetjen e tyre, për shqyrtim të mëtejmë në këtë seancë.
 
Seanca vazhdoi punimet duke shqyrtuar Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë. Nga ana e Qeverisë, Propozim-vendimin në fjalë e paraqiti dhe arsyetoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli. 
Me këtë rast, ministrja Rizvanolli theksoi se duke u bazuar në situatën energjetike, të krijuar në vend, rritjen e çmimeve në tregun evropian, ndalimin e eksportit, si dhe me qëllim të nxitjes për kursim të energjisë, Qeveria ka propozuar masat emergjente për kufizim të furnizimit me energji, me qëllim të tejkalimit të kësaj situate, për një kohë të caktuar.
 
Në emër të Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë foli zëvendëskryetarja Jeta Statovci, e cila theksoi se ky komision i ka rekomanduar Kuvendit miratimin e këtij propozimi.
 
Nga GP i Lëvizjes Vetëvendosje, Mimoza Kusari Lila ofroi mbështetjen e grupit parlamentar. Masat e parapara ajo i cilësoi jo vetëm si të nevojshme, por edhe të domosdoshme lidhur me krijimin e mekanizmave për të përballuar mungesat e energjisë, me të cilat po përballet jo vetëm vendi ynë.
 
“Vendimi i Qeverisë së Kosovës parasheh disa masa të domosdoshme. Marrja e këtij vendimi sot, përveç që ka kufizimin ligjor, i cili buron nga Ligji për Energjinë, krijon mekanizma për vendimmarrje më të shpejtë, rrit vetëdijen dhe sensibilizon qytetarët për masat e kursimit të energjisë”, theksoi Kusari Lila.
 
Duke folur në emër të GP të PDK-së, deputeti Ferat Shala nuk i dha mbështetjen e grupit parlamentar këtij vendimi. Ai theksoi se brenda një viti menaxhimi nga kjo Qeveri, kanë ardhur tri kërkesa për situatë emergjente energjetike. Sipas tij, për masat e mëparshme nuk ka pasur asnjë impakt kthyes për qytetarin dhe asnjë raport se cilat kanë qenë efektet e këtyre masave.
 
“Para se të na vinte kjo kërkesë do duhej që Qeveria të na jepte një raport, për herën e parë dhe të dytë, se çfarë ka arritur ajo me shpalljen e masave emergjente energjetike. Cilat kanë qenë efektet pozitive në jetën sociale, ekonomike, dhe në tërë zinxhirin menaxhues industrial”, theksoi Shala.
 
Në emër të GP të LDK-së, deputetja Valentina Bunjaku paraqiti qëndrimin e grupit, duke u shprehur kështu kundër këtij vendimi. Vendimin e Qeverisë për masat e emergjencës me energji ajo e cilësoi joprofesional dhe pa përmbajtje konkrete dhe, si i tillë, vendim që nuk jep ndonjë zgjidhje.
 
“Vendimi i Qeverisë për masat e emergjencës me furnizimin me energji nuk është vendim profesional dhe as vendim me masa konkrete. Të gjitha masat parashikohen brenda këtij viti dhe ky vendim nuk përbën zgjidhje”, theksoi Bunjaku. 
 
Nga GP i AAK-së, foli deputeti Pal Lekaj, i cili paraqiti qëndrimin pro të këtij grupi, lidhur me Propozim-vendimin e Qeverisë për Masat e emergjencës, duke dhënë edhe vërejtjet e tij. Ai theksoi se për hir të proceseve, por edhe për të mirën e qytetarëve e mbështesin këtë Propozim-vendim.
 
“Ne edhe vitin e kaluar ju kemi paralajmëruar që do të hyjmë në një krizë të thellë energjetike, por ju vendimin e parë dhe seriozitetin e parë e keni treguar pas tre muajve pasi kemi hyrë në krizë. Kjo qeveri është mësuar të zgjidh problemet ad hoc, pa strategji dhe vendimmarrje në kohën e duhur”, theksoi Lekaj.
 
Pas hedhjes në votim, me 61 vota për Kuvendi miratoi Propozim-vendimin e Qeverisë së Kosovës për Masat e emergjencës në furnizimin e energjisë.
 
Në vazhdim të seancës, Kuvendi shqyrtoi dhe miratoi në lexim të dytë këto projektligje: Projektligjin nr.08/L-077 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-127 për regjistrimin e bujqësisë, Projektligjin nr.08/L-078 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 04/L-041 për prodhimin, grumbullimin, përpunimin dhe tregtimin e duhanit, Projektligjin nr.08/L-079 për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit nr. 02/L- 85 për peshkatari dhe akuakulturë, Projektligjin nr.08/L-080 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2003/5 i Kosovës për Farërat, Projektligjin nr.08/L-081 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-085 për Bujqësi Organike, Projektligjin nr.08/L-082 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.04/L-120 për mbrojtjen e bimëve, Projektligjin nr.08/L-084 për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit nr.02/L-53 për gjuetinë, Projektligjin nr.08/L-085 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2004/13 për materialin fidanor, Projektligjin nr.08/L-086 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-114 për pasurimin e miellit, Projektligjin nr.08/L-087 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.04/L-040 për rregullimin e tokës, Projektligjin nr.08/L-088 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.02/L-111 për bletari, Projektligji nr.08/L-089 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr.2003/10 për plehrat artificiale, Projektligjin nr.08/L-090 për ndryshimet dhe plotësimet e ligjit nr.02/L-10 për përkujdesjen ndaj kafshëve, Projektligjin nr.08/L-091 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2004/21 për veterinarinë, Projektligjin nr.08/L-092 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.03/L-029 për inspeksionin bujqësor, Projektligjin nr.08/L-093 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 03/L- 042 i produkteve për mbrojtjen e bimëve, Projektligjin nr.08/L-094 për ndryshimet dhe plotësimet e Ligjit nr. 02/L- 9 për ujitjen e tokave bujqësore, Projektligjin nr.08/L-095 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.2003/9 për kooperativat e bujqve, Projektligjin nr. 08/L-112, për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-26 për Tokën bujqësore, Projektligjin nr.08/L-111 për Arkivat Shtetërore, Projektligjin nr.08/L-071 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-060 për Mbeturinat, Projektligjin 08/L-83 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-08 për Verërat, Projektligjin nr.08/L-116 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.04/L-197 për Kimikate.
 
Seanca vazhdoi punimet me interpelancën e ministrit të Ministrisë së Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për çështjen: “Ligji i zyrtarëve publikë”, të ftuar nga shtatë deputetë të GP të AAK-së.
 
Në emër të propozuesit të kësaj interpelance, deputeti Besnik Tahiri theksoi se për shkak të rëndësisë që ka tema në fjalë, ajo duhet të trajtohet bashkërisht dhe nga rekomandimet e sugjerimet e dala, do të plotësojnë si reformën e administratës shtetërore, po ashtu edhe ligjin në fjalë. 
 
Ministri Sveçla, në fjalën e tij theksoi se kompletimi i kornizës ligjore aktuale është parakusht i arritjes së objektivit të qeverisë për modernizimin e administratës publike, i cili konsiston në lehtësimin për qasje në të, duke ua bërë më të lehtë qytetarëve, bizneseve dhe institucioneve, si dhe një administratë që funksionon në bazë të meritorkacisë, profesionalizmit dhe efikasitetit.
 
Andaj, sipas tij, ligji për zyrtarët publikë është një ndër ligjet që duhet t’i nënshtrohet procesit të rishikimit, në mënyrë që të arrihet deri tek piku i këtij ligji, që është kompletimi i kornizës ligjore, duke e çuar administratën shtetërore drejt modernizimit.
 
Për më tepër, ministri Sveçla u shpreh se ministria përkatëse, përmes ndryshimeve që do ofrojë me Ligjin për zyrtarët publikë, synon t’i adresojë problemet që janë identifikuar edhe nga Gjykata Kushtetuese, e po ashtu edhe problemet e identifikuar në praktikë, gjatë kohës së implementimit të pjesërishëm të këtij ligji. 
 
“Ligji për zyrtarët publikë, i cili sot pjesërisht është në fuqi, ka shfaqur një numër problemesh në zbatim, ku si ministri përgjegjëse kemi ofruar sqarime shtesë pothuajse për çdo normë të tij. Përveç kësaj, ligji ka shumë zbrazëti dhe anomali që kanë vështirësuar punën e përditshme dhe zhvillimin e administratës publike, duke përfshirë këtu vështirësinë e proceseve të rekrutimeve, mungesën e një mjedisi konkurrues, mungesën e mekanizmave efikas për matjen e performancës, mungesën të procesit të llogaridhënies, si dhe një sërë çështjesh të tjera të evidentuara përgjatë zbatimit të ligjit aktual”, tha ndër të tjera ministri Sveçla.
 
Duke kaluar në disa prej pikave kryesore të cilat do t’i trajtojë ligji, ministri Sveçla theksoi se ministria që ai drejton është në fazën përfundimtare të draftimit të këtij ligji dhe pritet të procedohet shpejt për konsultime tek institucionet gjegjëse.
 
Nga ana e Grupit Parlamentar të LVV-së, deputetja Doarsa Kica Xhelili tha se shtrirja e këtij ligji kërkon kohë dhe përkushtim serioz, në mënyrë që të evitohet edhe një rivlerësim i mëtejmë nga Gjykata Kushtetuese, siç e ktheu ligjin në pikën zero.
 
Sipas Xhelilit, bartja e ligjeve prej një sistemi në tjetrin, pa një vlerësim adekuat të funksionalizimit të tyre brenda sistemi tonë, po e cenojnë konsistencën e ligjeve.
 
 Andaj, siç e potencoi ajo, plotësim- ndryshimi i këtij ligji duhet të bëhet në dy dimensione, atë të integrimit të të gjitha gjetjeve të Gjykatës Kushtetuese dhe integrimin e rekomandimeve të dala nga raportet e progresit për hapje të sistemit.  
 
Qëndrimin e Grupit Parlamentar të PDK-së e paraqiti deputeti Mergim Lushtaku, i cili theksoi se kjo interpelancë është mjaft e rëndësishme, duke trasuar rrugën për tema të tjera dhe trajtim të thellë. 
 
Referuar ligjit në fjalë, deputeti Lushtaku u shpreh se qeveria aktuale është duke u treguar neglizhente në procedim të mëtutjeshëm të tij, e që në mënyrë indirekte, sipas tij, po ndikon në mos modernizim të administratës publike, duke mos u thirrur në përmbajtje të ligjit nga qeveria. Lushtaku theksoi se qeveria duhet sa më shpejtë të sjellë ligjin në Kuvend për diskutim e mos të ndalet deri në implementim të plotë.
 
Në emër të Grupit Parlamentar të LDK-së, deputeti Agim Veliu u shpreh se kanë kaluar dy vite që kur Gjykata Kushtetuese konstatoi se disa dispozita te Ligjit për zyrtarët publikë nuk janë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe e obligoi Kuvendin të bëjë ndryshimet e nevojshme në pajtim me aktgjykimin. Andaj, deputeti Veliu i bëri thirrje ministrit që sa më shpejt të bëjnë ndryshimet në këtë ligj, e të mos e luftojë sektorin publik.
 
Pas ezaurimit dhe shterjes së debatit mes deputetëve dhe ministrit të linjës, iniciuesi i interpelancës, Besnik Tahiri paraqiti rezolutën me të cilën kërkoi nga qeveria që ta procedojë këtë projektligj në tetor të këtij viti, në mënyrë që t’i paraprijë ligjit për paga dhe buxhetimit për vitin 2023.
 
Rezoluta e propozuar nga GP i AAK-së gjeti mbështetje nga 72 deputetë. 
 
Tutje seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e dytë të Projektligjit nr.08/L-117 për Qeverinë e Republikës së Kosovës.
 
Deputeti Besim Muzaqi, anëtar i komisionit për Administratë Publike, paraqiti projektligjin në fjalë dhe rekomandimet e dala nga komisioni, duke kërkuar nga deputetët që projektligjin ta votojnë me të gjitha amendamentet.
 
Në anën tjetër, deputeti Driton Selmanaj, theksoi se pas trajtimit të këtij projektligji të njëpasnjëshëm në Komisionin për Legjislacion, rekomandimet nga ky i fundit nuk janë përfillur nga shumica. 
 
Adnan Rrustemi, kryetar i Komisionit për Legjislacion, u shpreh se ky projektligj është në rregull dhe si i tillë do të ndikojë në rritje të efikasitetit të qeverisë.
 
Pas përfundimit të debatit në mes të grupeve parlamentare, meqë për votim të amendamenteve nuk pat kuorum, projektligji nuk u hodh në votim.
 
Pika e radhës për diskutim qe shqyrtimi i dytë i Projektligjit nr.08/L-063 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjeve që kanë të bëjnë me racionalizimin dhe vendosjen e vijave llogaridhënëse të Agjencive të Pavarura.
 
Projektligji bashkë amendamentet e propozuara nga komisioni funksional u përkrah nga shumica e deputetëve të pranishëm. 
 
Kuvendi miratoi gjithashtu edhe këto projektligje: Projektligjin nr. 08/L-049 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 02/L-38 për Inspektoratin Shëndetësor, 
Projektligjin nr. 08/L-050 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 2003/22 për Inspektoratin Sanitar të Kosovës, Projektligjin nr. 08/L-122 për ndryshimin dhe plotësimin e ligjit nr. 03/L174 për financimin e subjekteve politike, të ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 04/L-058 dhe ligjin nr. 04/L-122 si dhe Ligjin nr. 03/L-073 për zgjedhje të përgjithshme në Republikën e Kosovës i ndryshuar dhe plotësuar me ligjin nr. 03/L-256, Projektligjin nr.08/L-028 për të Drejtën Ndërkombëtare Private, si dhe Projektligji nr.08/L-107 për Aktet Juridike. 
 
Për votimin e Projektligjit nr. 08/ L-149 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-010 për noterinë, si dhe pikave të radhës, nuk pati kuorum për vendimmarrje. 
 
Duke falënderuar deputetët për punën e tyre, kryetari Glauk Konjufca njoftoi se mbyllja e kësaj seance shënon edhe përfundimin e sesionit pranveror të punës së Kuvendit.