Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhja e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes

12.10.2021

Komisioni për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes, u mblodh sot nën drejtimin e kryetarit Bekë Berisha, për të diskutuar lidhur me situatën aktuale në veri të Kosovës, pas zhvillimeve të javëve të kaluara lidhur me vendimin e qeverisë për reciprocitet sa u përket targave të automjeteve nga Serbia.

Për të marrë informacione të drejtpërdrejta për këto zhvillime, të ftuar në komision ishin ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla dhe drejtori i përgjithshëm i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti.

Mirëpo kjo mbledhje nuk arriti të mbahej, pas diskutimeve midis anëtarëve të komisionit në radhët e opozitës dhe ministrit të MPB-së Xhelal Sveçla, lidhur me mënyrën e raportimit. Kryetari i Komisionit, Bekë Berisha kërkoi që ministri Sveçla të raportonte ndaras nga drejtori i Policisë, ashtu siç ishin të ftuar, ndërkaq, në këtë situatë, ministri Sveçla dhe drejtori Mehmeti lëshuan mbledhjen, e cila më pas u ndërpre nga kryetari Berisha.

Më vonë, me ftesë të zëvendëskryetarit të komisionit, Enver Dugolli, komisioni u mblodh sërish, me prezencë të anëtarëve nga radhët e pozitës, për të vijuar me raportimin e ministrit Sveçla dhe drejtorit të Policisë, Mehmeti.

Gjatë raportimit të tij, ministri Sveçla foli lidhur me ngjarjet e fundit që kanë të bëjnë me çështjen e sigurisë, me theks të veçantë lidhur me vendosjen e masave të reciprocitetit me Serbinë për targat dhe zbatimin e vendimit të qeverisë.

“Në cilësinë e ministrit kam marrë vendim për automjetet me targa të Serbisë që futen në Kosovë, për pajisje me targa të përkohshme. Vendimi është marrë pas skadimit të marrëveshjes së Brukselit për lëvizje të lirë, e vitit 2016, e cila asnjëherë nuk është zbatuar nga Serbia. Kosova formalisht vendosi reciprocitetin me Serbinë në këtë fushë dhe vendimi u zbatua në tërë territorin e Republikës së Kosovës. Policia e Kosovës ka marrë vendim për angazhimin e njësive speciale në Bërnjak  dhe Jarinjë, me qëllim që të sigurohen pikat e kalimit kufitar”, sqaroi ministri  Sveçla, duke shtuar se strukturat kriminale atje, të mbështetura nga Serbia u mobilizuan për ta dështuar këtë vendim për targat, përmes aksioneve kriminale në rrugë. Sveçla shtoi se kjo u bë pasi ata tashmë betejën për targat e kishin të humbur.

Në vijim, ai sqaroi se më 25 shtator janë djegur edhe dy qendra të regjistrimit civil të automjeteve dhe se tashmë këto qendra janë hapur dhe janë duke funksionuar me sukses.

Ai tutje deklaroi se prania e artilerisë serbe ishte shqetësuese, sikurse edhe fluturimi i helikopterëve serbë afër territorit tonë, ndërkaq shtoi se Kosova me këtë e dëshmoi se ka institucione demokratike dhe profesionale, të afta për të zbatuar vendimet e saj.

“Serbia përdori të gjitha mjetet, përfshirë veprimtaritë kriminale, përmes bllokimit të rrugëve dhe shantazheve tjera, për të penguar zbatimin e këtij vendimi. Koordinimi yni i brendshëm ishte i shkëlqyer, duke falënderuar të gjithë akterët, policinë për profesionalizmin dhe aleatët tanë. Vendimi i datës 20 shtator solli edhe rezultatin e rëndësishëm në tavolinën e dialogut në Bruksel dhe tashmë Serbia ishte pajtuar për reciprocitet të plotë sa i përket lëvizjes së automjeteve”.

Ministri Sveçla tha se deri më sot janë lëshuar mbi 17 mijë stikersa nga pikat kufitare dhe se deri më 21 tetor  do të jenë të gatshëm dhe të përgatitur për zgjidhjen e përhershme lidhur me lëvizjen mes qytetarëve të Republikës së Kosovës dhe Serbisë.

Në vijim, raportoi edhe drejtori i Policisë së Kosovës, Samedin Mehmeti, me theks të veçantë lidhur me ngjarjet e fundit në veri.

“Situata në komunat veriore është e qetë dhe sa i përket zbatimit të vendimeve të Qeverisë së Republikës së Kosovës policia është garantuese e tyre. Edhe në çështjen e targave, ne u siguruam që vendimi të zbatohej me çdo kusht, duke e ruajtur sigurinë dhe qetësinë në vend”, tha Mehmeti.