Kuvendi i Republikës së Kosovës

Mbledhje e Komisionit për Mbikëqyrje të Financave Publike

22.09.2021

Në mbledhjen e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike, kryesuar nga kryetarja e komisionit, Hykmete Bajrami, u shqyrtuan dhe miratuan rekomandimet e dala nga raporti i auditimit të performancës “Parandalimi dhe reagimi i situatave emergjente: Vërshimet”, si dhe raporti i punës së KMFP-së për Sesionin Pranveror 2021. 

Tutje, anëtarët e komisionit shqyrtuan edhe raportin e auditimit për PVF-të e Administratës Tatimore të Kosovës për vitin 2020.

Drejtori i përgjithshëm në ATK-së, Ilir Murtezaj, ndër të tjera tha se raporti për pasqyrat financiare nga Zyra Kombëtare e Auditimit është paraqitur si opinion i kualifikuar, për shkak të mos plotësimit të disa pikave, si regjistrimi i pasurisë, borxhet, fiskalizimi i bizneseve, furnizimi me pajisje etj., gjë për të cilat, sipas tij, ATK nuk pajtohet me ZKA-në.

Në anën tjetër, përfaqësuesja e ZKA-së, Fatlinda Ramosaj, tha se nga ky institucion realisht është kontestuar vetëm pjesa e pasurisë, ndërsa për shumicën e pikave që janë dhënë rekomandime, ato kanë marrë edhe pajtimin e vet ATK-së.

Pas konsumimit të debatit mes anëtarëve të komisionit dhe përfaqësuesve të të dyja institucioneve financiare, në fund, anëtarët e komisioni vlerësuan se ky raport nuk duhet të procedohet për diskutim në seancë plenare.