Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, Jeta Statovci, mori pjesë Konferencën e Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar

10.06.2021

Nënkryetarja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërrmarrësi dhe Tregti Jeta Statovci, ka marrë  pjesë në një takim virtual në Konferencën e  Rrjetit Parlamentar të Bankës Botërore dhe Fondit Monetar Ndërkombëtar, për të diskutuar rreth rikthimit ekonomik pas përballjes me pandeminë COVID-19.

Ky takim i ka paraprirë mbledhjes së samitit të Grupit të shtatë vendeve më të industrializuara (G7), ku u diskutua mbi aktualitetet rreth vaksinave, dizajnimit të paketave stimuluese financiare për grupet e prekura, rritjen e nivelit të varferisë së skajshme dhe aspekte tjera.

Statovci potencoi se rëndësia e bashkëpunimit global tregoi efektet e veta në periudhën e zbulimit te vaksinës, e cila u arrit me një shpejtësi të paparë deri më tani. Ajo tha se fryma e bashkëpunimit dhe zotimit politik duhet të mbizotërojë edhe përgjatë situatës së distribuimit të vaksinave.

Sipas Statovcit, tani ka vende me shpejtësi të madhe të vaksinimit dhe më pak raste, ndërsa vende me shumë pak vaksinim dhe me shumë raste të  të infektuarëve.

Në këtë takim u konstatua se kjo çështje kërkon vëmendje, pasi që asnjë qytetar nuk është i sigurt derisa të mos të jenë të gjithë të vaksinuar.

Në këtë konferencë u potencua se përderisa një në katër qytetarë të vendeve me të ardhura të larta kanë marrë një vaksinë Covid-19, vetëm një nga  500 qytetarë në vendet me të ardhura të ulëta u është dhënë e njëjta mbrojtje.