Nënkryetarja e Kuvendit të Republikës së Kosovës, Saranda Bogujevci, ka pritur sot në takim Nënsekretarin e Shtetit për Punë të Jashtme të Republikës së Italisë, Benedetto Della Vedova, i cili shoqërohej nga Ambasadori italian në Kosovë, Antonello de Riu, Zëvendës AmbasadoriUgo Ferraro dhe Shefi i Kabinetit, Giovanni Davolli.
Me këtë rast, nënkryetarja Saranda Bogujevci i vlerësoi të shkëlqyera marrëdhëniet dypalëshe dhe e falënderoi z. Vedova për mbështetjen që Italia mike i ka dhënë Kosovës në të gjitha proceset shtetndërtuese dhe euro-integruese.
Në takim, ndër të tjera, u diskutua për liberalizimin e vizave, proceset e anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës dhe në organizata të tjera ndërkombëtare.
Nënkryetarja e Kuvendit, Saranda Bogujevci dhe Nënsekretari i Shtetit për Punë të Jashtme, Benedetto Della Vedova, shprehën gatishmërinë për vazhdimin e bashkëpunimit ndërmjet shteteve tona në fusha me interes të përbashkët.