Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nënshkruhet Marrëveshje Mirëkuptimi ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës

18.01.2022

Kuvendi i Republikës së Kosovës dhe Agjencia e Statistikave të Kosovës (ASK) kanë nënshkruar sot një Marrëveshje Mirëkuptimi, në të cilën parashihet bashkëpunim i ndërsjellë ndërmjet dy institucioneve të vendit.

Qëllimi i këtij memorandumi është bashkëpunimi institucional ndërmjet Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës për krijimin e një komunikimi të drejtpërdrejtë, efikas, të përdorshëm, të qëndrueshëm, shkëmbim informacioni, për ofrimin e të dhënave të bazuara në dëshmi dhe në kohë reale.

Nënshkrimi i Marrëveshjes së Mirëkuptimit është bërë në ambientet e ASK-së nga Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm në Kuvendin e Republikës së Kosovës dhe Ilir T. Berisha, Zv.Kryeshef Ekzekutiv i ASK-së.

Me rastin e nënshkrimit të kësaj marrëveshjeje, Sekretari i Përgjithshëm i Kuvendit, z. Krasniqi, tha se kjo Marrëveshje e Mirëkuptimit do të vendosë bashkëpunimin ndërmjet dy institucioneve: Kuvendit të Republikës së Kosovës  dhe Agjencisë së Statistikave të Kosovës (ASK) për realizimin e bashkëpunimit, kryesisht në fuqizimin e kapacitetit aktual të deputetëve për angazhim në arritjen e OZHQ-ve (synimeve për zhvillim të qëndrueshëm), si dhe në përdorimin e të dhënave nga ana e trupave punuese të Kuvendit, të bazuara në dëshmi, gjatë procesit të politikë-bërjes dhe miratimit të ligjeve, si dhe mbikëqyrjes dhe kontrollit parlamentar.

Nga ana tjetër, z. Berisha theksoi rëndësinë e këtij bashkëpunimi, për ta promovuar efikasitetin e njohurive, si dhe për të krijuar një kornizë dhe kushte të përgjithshme për bashkëpunim efikas.

Gjatë nënshkrimit të Marrëveshjes së Mirëkuptimit, nga Kuvendi ishin të pranishëm: Ismet Krasniqi, Sekretar i Përgjithshëm i Kuvendit dhe Shqipe Krasniqi, Zyrtare e lartë për koordinim të donatorëve dhe marrëdhënie me SHC.