Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga dita e dytë e vizitës së delegacionit të Komisionit për Legjislacion …, në Shqipëri

14.01.2022

Delegacioni i Komisionit për Legjislacion …, i Kuvendit të Kosovës, kryesuar nga Adnan Rrustemi, kryetar, Driton Selmanaj, Dimal Basha, Hajdar Beqa, dhe Besnik Tahiri, në ditën e dytë të vizitës në Tiranë, janë takuar me kryetarin e Bashkisë së Tiranës, Erion Velijaj. 

Në këtë takim, u diskutua për fuqizimin e bashkëpunimit në të gjitha nivelet, qoftë lokal apo qendror. U tha se “kemi një shans historik për të treguar se djemtë dhe vajzat e Shqipërisë dhe të Kosovës janë po aq të aftë, punëtorë dhe të talentuar sa edhe djemtë dhe vajzat kudo në Evropë”.

Më pas, delegacioni i Komisionit për Legjislacion …, u prit nga prokurori i përgjithshëm i Shqipërisë, Olsian Çela, i cili paraqiti përvojën e Shqipërisë në procesin e vetingut.

Gjatë këtij takimi, u tha se fillimisht duhet të bëhet një vlerësim paraprak i mirëfilltë se cila është nevoja për veting, dhe sa i thellë do të jetë ky proces.

Çela, foli për përvojat e Shqipërisë, duke shtuar se komisioni i përbërë nga ekspertë të lartë nuk ofroi mjaftueshëm argumente se sa i thellë do të jetë vetingu, por ishte i bazuar më tepër në perceptimin qytetar.

“Perceptimi dhe rezultatet e vetingut nuk ishin ato që u menduan në fillim, edhe  pse e kishte efektin e tij, sepse disa të korruptuar nuk mund të largoheshin ndryshe nga sistemi”, tha Çela.

Ana tjetër negative e vetingut, sipas tij, ishte se u krijua një kaos me largimin e një numri të madh të stafit nga sistemi, dhe tani shumë insitucione dhe gjykata janë të pakompletuara. 

Tutje prokurori, foli edhe për rëndësinë e integritetit të vetingut, të cilit tha se ne nuk iu kushtua vëmendje e duhur që në fillim.

Çela, u sugjeroi delegacionit të Komisionit për Legjislacion …, që në proces të zgjedhjes së modalitetit të vetingut të përfshihen shumë akterë, përfshirë edhe këshillat gjyqësore dhe prokuroriale, por të konsultohen edhe ekspertë shqiptarë, të cilët tashmë kanë eksperiencë në këtë proces.

Gjatë ditës delegacioni i Legjislacionit …, u takua edhe me ministrin e Drejtësisë, Ulsi Manja, i cili shpalosi perspektivën e tij për procesin e vetingut. 

“Çelësi i suksesit është konceptimi i reformës si reformë kushtetuese”, tha ministri Manja.

Po ashtu, ai tha se Shqipëria dhe Kosova duhet të kenë projekte të përbashkëta dhe se nuk i pëlqen shprehja “marrëveshje bashkëpunimi”. 

“Duhet të kemi projekte konkrete, të cilat lehtësojnë jetën e qytetarëve tanë. Ministrat e drejtësisë mund të bëjnë projekte, por janë komisionet e ligjeve që i jetësojne ato”, tha Manja.

Delegacioni i Komisionit për Legjislacion …, e përmbylli vizitën me takimin me prof. Aurela Anastasi, eksperte e nivelit të lartë, dhe Aulona Hazbiu, eksperte e EURALIUS, të cilat në mënyrë të detajuar paraqitën përvojën e Republikës së Shqipërisë në reformën e drejtësisë.