Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Bujqësi, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë

18.06.2021

Komisioni për Bujqësi, Pylltari, Zhvillim Rural, Mjedis e Planifikim Hapësinor dhe Infrastrukturë, kryesuar nga kryetarja Fitore Pacolli – Dalipi mbajti sot mbledhjen e radhës.

Në këtë mbledhje Komisioni vendosi që të formojë grupet punuese për mbikëqyrjen e tri ligjeve: Ligjit për ujërat e Kosovës, Ligjit për pasurimin e miellit dhe Ligjit për pyjet.

Kryetarja Pacolli-Dalipi propozoi që në mbledhjen e radhës deputetët të vijnë me propozimet për ekspertët, të cilët do të punojnë bashkë në monitorimin e këtyre ligjeve.

Anëtarët e Komisionit po ashtu diskutuan rreth ndryshimit të emërtimit të Komisionit.

Kryetarja Fitore Pacolli - Dalipi propozoi që Komisioni tash e tutje të quhet Komisioni për Mjedis, Ushqim, Bujqësi, Planifikim dhe Zhvillim.

Pas diskutimeve nga ana e anëtarëve të Komisionit në lidhje me emërtimin, propozimi i kryetares Pacolli – Dalipi mori votat e të gjithë anëtarëve të Komisionit dhe i njëjti dërgohet në seancë për shqyrtim dhe miratim.

Në fund të mbledhjes kryetarja Pacolli njoftoi se në mbledhjen e ardhshme do të ftohet në raportim ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.