Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

13.10.2021

Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere, nën kryesimin e kryetarit Armend Muja mbajti sot mbledhjen e radhës.

Para se të fillojë raportimi i auditores së përgjithshme lidhur me kalendarin e auditimeve, Komisioni shqyrtoi kërkesën e auditores Vlora Spanca për zbritjen e pagës së saj.

Kryetari i Komisionit Armend Muja tha se auditorja Spanca në mbledhjen e kaluar të Komisionit ka kërkuar që paga e saj që aktualisht është 3835  euro bruto të zbritet në 2800 euro. Ai shtoi se në mungesë të një ligji për pagat e zyrtarëve  publikë, auditori është kategorizuar në mes të një gjyqtari të Gjykatës së Apelit dhe një gjyqtari të Gjykatës Kushtetuese, andaj sipas tij në bazë të parametrave vlerësues i bie që paga e auditores së përgjithshme do të ishte rreth 2600 euro bruto.

Por, anëtari i Komisionit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje Eman Rrahmani tha se nuk do të ishte etike që si Komision të përzihen në vetiniciativën e Auditores së përgjithshme dhe propozoi që të lihet vlera e asaj që ka kërkuar.

Kërkesa e auditores së përgjithshme për zbritje page nga 3835 në 2800 euro bruto u aprovua  me shumicë votash nga anëtarët e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere dhe i njëjti i rekomandohet Kuvendit për miratim.

Më pas auditorja e përgjithshme Vlora Spanca raportoi lidhur me kalendarin e auditimeve, ku sipas saj në raportin vjetor të auditimit për vitin 2021 pritet që të raportohen 134 auditime.

Spanca po ashtu njoftoi anëtarët e Komisionit se deri në fund të vitit, do t’i dërgohen vetëm Ministrisë së Drejtësisë auditimet e shpenzimeve për fondet e mbrojtjes juridike dhe mbështetjes financiare të mbrojtjes për personat e akuzuar nga Dhomat e Specializuara.

Auditorja e Përgjithshme u përgjigj edhe në pyetjet e anëtarëve të Komisionit, në lidhje me auditimet në organizata të ndryshme buxhetore.

Pas përfundimit të raportimit të Auditores së Përgjithshme, Komisioni për Buxhet hodhi në votim raportin financiar të Radiotelevizionit të Kosovës për periudhën korrik-shtator 2021, por që i njëjti nuk mori mbështetjen e anëtarëve të Komisionit.

Në vijim u shqyrtua raporti vjetor financiar i Agjencisë Kosovare për Krahasim dhe Verifikim të Pronës për vitin 2020, të cilin e prezantoi drejtori ekzekutiv Naser Shala me bashkëpunëtorë. Anëtarët e Komisionit shtruan shumë pyetje në lidhje me shumë çështje që kanë të bëjnë me shpenzimet e Agjencisë, ku morën përgjigje nga përfaqësuesit e saj.

Votimi i këtij raporti u shty për mbledhjen e ardhshme, pasi që anëtarët e Komisionit u dakorduan që të marrin edhe informata shtesë nga Agjencia Kosovare për Krahasim dhe Verfikim të Pronës.

Mbledhja vijoi me shqyrtimin e raportit vjetor financiar të Agjencisë Kundër Korrupsionit për vitin 2020, të cilin e prezantoi zyrtari financiar në këtë Agjenci Bedri Mecini, ndërsa po ashtu u përgjigj edhe në pyetjet e deputetëve. Raporti vjetor financiar i AKK-së për vitin 2020 mori mbështetjen unanime të anëtarëve të Komisionit për Buxhet Punë dhe Transfere.