Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Buxhet, Punë dhe Transfere

24.11.2021
Komisioni për Buxhet, Punë dhe Transfere kryesuar nga kryetari Armend Muja mbajti sot mbledhjen e radhës.
 
Në këtë mbledhje u shqyrtua raporti vjetor financiar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve për vitin 2020, të cilin e prezantoi kryetari i KQZ-së, Kreshnik Radoniqi, me bashkëpunëtorë.
 
Radoniqi tha se viti 2020 për KQZ-në ka qenë i vështirë për shkak të pandemisë dhe se buxheti gjatë vitit që shkoi ka ndryshuar dhe kjo ka ndodhur edhe për shkak të procesit të paplanifikuar zgjedhor, fillimisht në zgjedhjet e jashtëzakonshme për kryetar të komunës së Podujevës dhe pastaj për kryetar të komunës së Mitrovicës së Veriut.
 
 “Në rrethana të tilla KQZ-ja nuk ka mjete dhe i drejtohet Qeverisë për buxhet shtesë”, tha Radoniqi.
 
Pas prezantimit u hap debati për pyetjet e deputetëve të cilët adresuan pyetje në lidhje me punën dhe shpenzimet e KQZ-së, të cilat morën përgjigje nga Radoniqi dhe bashkëpunëtorët e tij. 
 
Pas shterjes së debatit, raporti vjetor financiar i KQZ-së nuk mori votat e nevojshme nga anëtarët e Komisionit.
 
Komisioni vijoi mbledhjen me shqyrtimin e kërkesës së Fondit të Kursimeve Pensionale për miratimin e taksave vjetore për vitin 2022, të cilën e prezantoi kryesuesi i Bordit të Fondit të Kursimeve Pensionale, Ruzhdi Morina.
 
Duke u bazuar në dispozitat ligjore dhe planifikimet buxhetore, Morina theksoi se Bordi i Fondit i propozon Kuvendit miratimin e taksës vjetore për financimin e aktiviteteve operacionale dhe investive. Morina tha se taksa vjetore operacionale për vitin 2022 është propozuar që të jetë në normën 0.057 për qind.
 
Anëtarët e Komisionit shtruan pyetje në lidhje me kërkesën e FKP-së dhe pasi morën përgjigje, kërkesa u mbështet unanimisht nga të gjithë anëtarët e Komisionit.
 
Në vijim, Komisioni shqyrtoi Projektligjin nr.08/L-069 për ratifikimin e marrëveshjes në mes të Republikës së Kosovës, përfaqësuar nga Ministria e Financave, Punës dhe Transfereve dhe Qeverisë së Zvicrës, përfaqësuar nga Departamenti Federal i Punëve të Jashtme përmes Agjencisë Zvicerane për Zhvillim dhe Bashkëpunim mbi Programin Menaxhimi i Integruar i Burimeve Ujore në Kosovë.
 
Ministri i Financave Hekuran Murati tha se marrëveshja parasheh zhvillimin e një programi, i cili siguron krijimin e një kornize të integruar për mbrojtjen, shfrytëzimin dhe shpërndarjen e drejtë të resurseve ujore te konsumatorët në tërë Kosovën.
 
Sipas ministrit Murati ky program pritet të zbatohet në tri faza 2021-2031 dhe kontributi i Qeverisë zvicerane në këtë marrëveshje pritet të jetë 20 milionë franga ose ekuivalent 18.9 milionë euro, ndërsa Qeveria e Kosovës pritet të financojë për këtë marrëveshje 6 milionë franga zvicerane apo 5.68 milionë euro.
 
Pas prezantimit të ministrit Murati, Projektligji në fjalë u mbështet me shumicë votash nga anëtarët e Komisionit dhe i njëjti i rekomandohet Kuvendit për miratim.
 
Ndërsa Komisioni vendosi që shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Autoritetit Rregullativ të Hekurudhave për vitin 2020 dhe shqyrtimi i raportit vjetor financiar të Komisionit për Ndihmë Shtetërore për vitin 2019-2020, të shtyhen për javën e ardhshme.