Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

14.09.2021

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën udhëheqjen e kryetarit Ferat Shala, mbajti mbledhjen e parë për sesionin vjeshtor, duke proceduar me pikat e parapara për rendin e ditës.

Kryetari Shala falënderoi anëtarët e komisionit për angazhimin dhe punën gjatë sesionit pranveror 2021, duke theksuar se janë kryer të gjitha obligimet nga ky sesion dhe janë arritur objektivat e vendosura në fillim të punës së tij. 

Si rrjedhojë, njëzëri u votua pro miratimit të raportit të punës së komisionit për sesionin pranveror 2021. 

Pastaj, komisioni vazhdoi mbledhjen me shqyrtimin në parim të Projektligjit nr. 08/L-029 për punimet nga metalet e çmuara, prezantimin e të cilit e bëri ministrja e Industrisë dhe Ndërmarrësisë, Rozeta Hajdari.

Ministrja Hajdari, duke theksuar rëndësinë e procedimit të këtij projektligji, rangoi disa nga çështjet që ky projektligj do të trajtojë në sferën e metaleve të çmuara, përfshirë këtu si çështje primare kontrollin e cilësisë së metaleve, pasuar me shkallën e pastërtisë së punimeve, harmonizimin e termave në ligjin ekzistues, qartësimin e kompetencave dhe përmirësimin e standardeve të punës për artarët si dhe trajtimin e çështjes së sigurisë për këtë kategori. 

Anëtarët e komisionit shtruan pyetje për specifikat e tjera që janë paraparë të përfshihen në projektligj dhe duke e vlerësuar relevancën e tij, njëzëri i dhanë mbështetje projektligjit në fjalë.