Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

12.10.2021

Sot, Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti i drejtuar nga Ferat Shala, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës.

Pasi që diskutimet në lidhje me Raportin vjetor të Zyrës së Rregullatorit për Energji – ZRRE, për vitin 2020 kishin përfunduar, në këtë mbledhje anëtarët e komisionit votuan këtë raport, duke mos i dhënë, kështu, mbështetje raportit në fjalë.

Gjatë rrjedhës së mbledhjes, komisioni shpalli konkursin dhe formoi Panelin intervistues për zgjedhjen e Zëvendësdrejtorit të Autoritetit Rregullativ për Shërbimet e Ujit (ARRU), me përbërje nga të gjithë anëtarët e komisionit.

Tutje, kryetari Shala hapi diskutimin në lidhje me organizimin e një debati publik lidhur me barrierat tregtare Kosovë-Serbi, me propozim të KDI-së. Shala theksoi se komisioni ka nevojë për debat të hapur në lidhje me të gjitha sfidat dhe barrierat me të cilat ballafaqohet ekonomia e vendit.

“Jam pro organizimit të një debati të tillë, për t’i parë sfidat, mundësitë dhe bashkëpunimin ndërinstitucional, por edhe për të parë ekzekutivin se deri në çfarë niveli ka ardhur, në mënyrë që ta kemi të njohur situatën”, theksoi Shala.

Në mënyrë që ky debat të mund t’i përfshijë të gjithë akterët relevantë, parimisht u vendos për organizimin e tij, ndërsa për çështjen e kohës dhe modalitetet tjera do të merret propozuesi i këtij debati, KDI.

Fare në fund, Komisioni konstatoi se ministrja e Ministrisë së Ekonomisë, Artane Rizvanolli, ka konfirmuar ardhjen në raportim para komisionit. Kështu që, në mbledhjen e radhës, ministrja Rizvanolli pritet të raportojë në këtë komision.