Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti

16.05.2022

Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti, nën udhëheqjen e Ferat Shalës, kryetar, mbajti mbledhjen e radhës, në të cilën u shqyrtuan raporti me rekomandime për Projektligjin nr.08/L-074 për Turizmin, si dhe raporti vjetor i Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2021.

Lidhur me Projektligjin nr.08/L-074 për Turizmin, anëtarët e këtij komisioni vlerësuan se i njëjti i ka kaluar të gjitha procedurat dhe procedohet për seancën plenare të radhës.

Ndërsa, për të raportuar në mënyrë më të detajuar në lidhje me raportin vjetor të Komisionit të Pavarur për Miniera dhe Minerale (KPMM) për vitin 2021, të ftuar ishin bordi i KPMM-së.

E para e këtij bordi, znj. Selvete Grajçevci -Pllana, ndër të tjera tha se ky raport përfshin të gjitha komentet dhe rekomandimet që i janë dhënë këtij institucioni nga Komisioni për Ekonomi, Industri, Ndërmarrësi dhe Tregti si dhe nga Auditori i Përgjithshëm.

Për më tepër, kryetarja Grajçevci listoi edhe disa nga objektivat që KPMM synon t’i realizojë gjatë këtij viti, si rritja e efektivitetit dhe efikasitetit të llogaridhënies, implementimi i ligjeve, licencimi, etj.

Po ashtu, ajo foli edhe për sfidat e mundshme që mund të dalin gjatë realizimit të objektivave, e që automatikisht mund të zgjasin procesin realizues.

Në lidhje me mospërmbushjen e disa prej objektivave që ky insitucion kishte paraparë gjatë vitit të kaluar, Grajçevci tha se kjo ka ndodhur si pasojë e mos kuorumit për vendimmarrje.

Nga ana e anëtarëve të komisionit, në lidhje me të dalurat e raportit, u parashturan një sërë pyetjesh, përgjigjet e disa prej të cilave u dakorduan që të pranohen edhe në formë të shkruar, në një afat minimal kohor.

Si i tillë, raporti i KPMM-së pritet të votohet në mbledhjen e radhës, pasi që komisioni t’i pranojë në formë të shkruar të gjitha përgjigjet e pyetjeve të parashturara.