Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Integrime Evropiane

21.07.2021

Komisioni për Integrime Evropiane, kryesuar nga Rrezarta Krasniqi, kryetare (një pjesë e mbledhjes u udhëhoq nga nënkryetarja e parë, Arbëreshë Kryeziu - Hyseni), ka mbajtur sot një takim të përbashkët me përfaqësues të shoqërisë civile, me qëllim të rritjes së bashkëpunimit dhe komunikimit në procesin e integrimit evropian të Kosovës. 

Përfaqësuesit e shoqërisë civile: Venera Aqifi, nga “GIZ”, Albana Rexha nga “Demokraci plus”, Arbër Fetahu, përfaqësues i Grupit për Studime Politike dhe Juridike, Arben Kalaja nga instituti “Epik”, si dhe Visar Xhonbazi nga “D4D”, pasi folën për angazhimin dhe fushëveprimtarinë e organizatave që përfaqësonin,  u angazhuan edhe për gjetjen e mënyrës më të mirë të bashkëpunimit me Komisionin. 

Anëtarët e Komisionit falënderuan ata për pjesëmarrjen dhe vlerësuan se me një bashkëpunim të ndërsjellë do të mund të bëhej më shumë në rrugën e integrimit. 

Komisioni, po ashtu vlerësoi  se roli i shoqërisë civile është jetik dhe i pazëvendësueshëm në të gjitha proceset integruese të vendit tonë.  

Ndër gjërat që mund të bashkëpunohet me sukses u vlerësua mbikëqyrja e përbashkët e implementimit të ligjeve, si dhe miratimi i tyre e harmonizimi me ligjet e BE-së, ndërkaq, me theks të veçantë u vlerësua konsultimi i ndërsjellë dhe mbikëqyrja e përbashkët e zbatimit të marrëveshjes së MSA-së. 

Të pranishmit në këtë takim, u zotuan se në të ardhme do të ketë bashkëpunim edhe më të ngushtë me qëllim të tejkalimit të sfidave që paraqet procesi i integrimit.