Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

19.04.2021

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të drejtuar nga Adnan Rrustemi, kryetar.

Në këtë mbledhje, është shqyrtuar e më pas miratuar Projektligji për plotësimin dhe ndryshimin e Kodit Nr. 04/L-123 të Procedurës Penale i ndryshuar dhe plotësuar me Ligjin Nr.06/L-091, i cili do të përcjellët në një nga seancat e radhës së Kuvendit, me rekomandimin për shmagie nga procedurat e rregullta. 

Po ashtu, është marrë vendim për formimin e Grupit punues për hartimin e Rregullores së re të Kuvendit të Kosovës, si dhe të Grupit për përgatitjen e tekstit të konkursit për zgjedhjen e dy anëtarëve në Këshillin Gjyqësor të Kosovës dhe një anëtari në Këshillin Prokurorial të Kosovës, përfaqësues i shoqërisë civile, në përbërje nga një anëtar nga grupi parlamentar.

Nga ky komision, Hydajet Hyseni është caktuar anëtar në Komisionin Qeveritar për Njohjen e Statusit të ish- të dënuarve dhe të ish-të përndjekurve politikë, kurse Blerta Deliu- Kodra, anëtare në Komisionin Qeveritar për Kompensimin e Viktimave të Krimit.

Ndër tjera, në këtë mbledhje është diskutuar edhe për agjendën e punës së këtij komisioni.