Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Legjislacion…

22.09.2021

Komisioni për Legjislacion, Mandate, Imunitete, Rregulloren e Kuvendit dhe mbikëqyrjen e Agjencisë Kundër Korrupsionit, ka mbajtur sot mbledhjen e rregullt, të drejtuar nga Adnan Rrustemi, kryetar.

Në këtë mbledhje, është formuar grupi punues për Projektligjin nr. 08/L-015 për Gjykatën Komerciale, në këtë përbërje: Doarsa Kica Xhelili, Hajdar Beqa, Driton Selmani dhe Erxhan Galushi.

Po ashtu, janë proceduar në seancë për lexim të dytë raportet e komisioneve të përhershme për Projektligjin nr.08/L-003 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr.06/L-057 për përgjegjësinë disiplinore të gjyqtarëve dhe prokurorëve.

Anëtarët e këtij komisioni, kanë vlerësuar se nuk kanë kompetencë për ta emëruar një ushtrues detyre të drejtorit të Agjencisë Kundër Korrupsionit, derisa të zgjidhet drejtori. 

Ndërkaq, në këtë mbledhje, nuk ka pasur vendimarrje lidhur me shqyrtimin e kërkesës së kryetarit të Kuvendit, Glauk Konjufca, për interpretim të Rregullores së Kuvendit, nëse Komisioni për Mbikëyrjen e Financave Publike ka kompetencë t’i shqyrtojë raportet e Zyres Kombëtare të Audimit të ndërmarrjeve publike komunale, dhe më pas t’i procedojë rekomandimet në seancë.