Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Punë të Jashtme dhe Diasporë

06.12.2022
Komisioni për  Punë të Jashtme dhe Diasporë, kryesuar nga Haki Abazi, kryetari i Komisionit, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën ka raportuar Besnik Bislimi, zëvendëskryeministër i parë për Integrim Evropian, Zhvillim dhe Dialog në Qeverinë e Republikës së Kosovës. 
 
Raportimi i sotëm ishte në kuadër të fushëveprimtarisë së Komisionit dhe kishte të bënte me dialogun Kosovë- Serbi, përkatësisht planin franko-gjerman, i përkrahur edhe nga BE. 
 
Gjatë raportimit, zëvendëskryeministri Bislimi, foli për tri çështja që janë përfshirë dhe diskutuar gjer më tani në këtë proces. 
 
Fati i të zhdukurve, çështje kjo për të cilën ai paralajmëroi se deri në fund të janarit mund të nënshkruhet një marrëveshje, pastaj,  targat dhe çështja e energjisë ishin tema për të cilat zëvendëskryeministri Bislimi, njoftoi anëtarët e Komisionit.  
 
Për sa i përket  marrëveshjeve që ka të bëjnë me energjinë, Bislimi vlerësoi se ajo është zbatuar pjesërisht, ndërkaq, marrëveshjen  me palën serbe, e që ka të bëjë me targat, po ashtu e vlerësoi të favorshme. 
 
Për sa i përket vazhdimit të dialogut Bislimi,  vuri në spikamë gatishmërinë e Qeverisë për të vazhduar atë. “Kemi vullnet të bisedojmë për marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe ligjërisht të obligueshme”, u shpreh Bislimi. 
 
Ndërkaq, vijoi ai, dialogun për normalizim duhet ta shohim në kontestin e ri politik, pas agresionit të Rusisë ndaj Ukrainës. 
 
Duke folur për planin franko- gjerman, ai bëri të ditur se lidhur me këtë, ka një dakordim mes palëve që përmbajtja e tij të mbetet konfodenciale. 
 
Në vijim, zëvendëskryeministri Bislimi, u është përgjigjur edhe pyetjeve dhe shqetësimeve që ngritën anëtarët e Komisionit. 
 
Një pjesë e këtij takimi është zhvilluar pa prezencën e mediave.