Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale

22.09.2021

Komisioni për Shëndetësi dhe Mirëqenie Sociale, nën kryesimin e Fatmire Kollçakut, kryetare, ka mbajtur sot mbledhjen e radhës, në të cilën për të raportuar lidhur me menaxhimin e situatës me COVID 19, ishte i ftuar ministri i Ministrisë së Shëndetësisë, Arben Vitia.

Kryetarja Kollçaku, lidhur me situatën epidemiologjike, theksoi se ka rënie të rasteve dhe se në këtë drejtim ka ndryshime pozitive, duke e cilësuar si arritje të madhe rrjedhën e procesit të vaksinimit. Megjithatë ajo shprehu brengën e saj për situatën aktuale dhe bëri thirrje që të vaksinohen të gjithë qytetarët.

“Ne do ta promovojmë vaksinën si armën kryesore parandaluese që kemi, përkundër masave tjera në fuqi dhe ftojmë të gjithë qytetarët që të vaksinohen, sepse vaksinat janë shumëfish më të dobishme sesa format tjera”, theksoi Kollçaku.

Sa i përket menaxhimit të situatës me COVID 19, ministri Vitia shpalosi të dhëna për të gjitha zhvillimet dhe masat e ndërmarra nga ministria që ai drejton, duke filluar nga numri i vaksinave të siguruara, por edhe nga numri i qytetarëve të vaksinuar. 

Vitia foli edhe për procesin mësimor, duke u thirrur në bashkëpunimin ndërmjet Ministrisë së Arsimit dhe IKSHPK-së. Sipas tij, situata pandemike ka prekur vendin tonë, jo vetëm në aspektin shëndetësor, por në çdo pore të jetës, duke e konsideruar vaksinën si mjetin më të rëndësishëm në shpëtimin e jetës së qytetarëve.

“Nga qershori i këtij viti, kemi armën më të fuqishme në këtë betejë, vaksinën. Ministria e Shëndetësisë me qëllim të menaxhimit të pandemisë, i ka propozuar Qeverisë masat e përgjithshme dhe të veçanta për kontrollin, parandalimin dhe luftimin e pandemisë COVID 19, të cilat edhe janë miratuar”, theksoi Vitia.

Tutje ministri Vitia, në fjalën e tij duke apeluar te të gjithë qytetarët që të vaksinohen, theksoi se vaksinimi është treguar opsioni më i mirë dhe më i lirë për të parandaluar çdo valë tjetër, dhe se deri në fund të vitit do të vaksinohen shumica e qytetarëve.

“Ne do të synojmë që shkalla e vaksinimit të arrihet mbi 70 për qind, sepse sa më shumë qytetarë të vaksinuar aq më shumë do t’i bëjmë ballë valëve të reja”, theksoi Vitia.

Në anën tjetër, anëtarët e komisionit shtruan pyetje për ministrin Vitia, duke dhënë edhe qëndrimet e tyre rreth menaxhimit të situatës me COVID 19.