Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga mbledhja e Komisionit për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione 

16.05.2022

Komisioni për të Drejtat e Njeriut, Barazi Gjinore, për Persona të Pagjetur, Viktimat e Dhunës Seksuale të Luftës dhe Peticione, mbajti mbledhjen e rregullt, të kryesuar nga Duda Balje, kryetare.

Në këtë mbledhje morën pjesë edhe përfaqësues të Ministrisë së Drejtësisë, të kryesuar nga zëvendësministrja Nita Shala, Agjencia për Barazi Gjinore, UN Women, UN, KDI, përfaqësues të OJQ-së IPS, dhe në cilësinë e ekspertit të pavarur, Hilmi Jashari. 

Anëtarët e këtij komisioni, gjatë kësaj mbledhje u takuan me një ekspert të angazhuar nga UN Women me rastin e përfundimit të Projektligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Bazë Gjinore.

Duke folur për temën e lartpërmendur, Jashari theksoi se ky projektligj para së gjithash ka standarde evropiane, dhe se duhet t’i përmbahet edhe Konventës së Stambollit. 

Në vazhdim të prezantimit të tij, Jashari përmendi se ky projektligj duhet të përmbajë mekanizma mjaft të qartë që do të ofronin plotësisht mundësi për zbatimin e tij në praktikë. 

Në fund të fjalës së tij, Jashari përmendi se në këtë projektligj nuk duhet të figurojë asnjë nen nga Kodi Penal, por vetëm nenet e Kodit Civil. 

Në vazhdim të mbledhjes, anëtarët e komisionit u pajtuan se duhet të punohet me kujdes në hartimin e Projektligjit për Mbrojtjen nga Dhuna në Familje dhe Dhuna në Bazë Gjinore, në mënyrë që të zbatohet më mirë dhe të tregohet efekti i tij i vlefshëm në këto fusha.