Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

11.06.2021

Kuvendi i Republikës së Kosovës drejtuar nga kryetari Glauk Konjufca, është mbledhur sot në seancë të re plenare, e cila filloi me deklarimet e deputetëve jashtë rendit të ditës dhe pyetjet e tyre për ministrat e Qeverisë së Republikës së Kosovës.

Anëtarët e kabinetit qeveritar dhanë përgjigjet në pyetjet e adresuara nga deputetët.

Seanca vijoi punimet me propozimin për një mocion procedural parashtruar nga kryetari i Komisionit për Arsim, Kulturë, Rini dhe Sport, Ardian Gola, për shmangie të rregullores së Kuvendit në lidhje me futjen si pikë e re të rendit të ditës ratifikimin e Këshillit Shtetëror të Cilësisë.

Mocioni procedural u hodh në votim, për të cilin votuan 60 deputetë, vota këto jo të mjaftueshme për të kaluar tutje.

Pas këtij votimi seanca vazhdoi me pikën e rendit të ditës, në lidhje me diskutimin mbi ecurinë e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.

Kryeministri Albin Kurti iu drejtua deputetëve të Kuvendit mbi procesin e deritanishëm të dialogut, duke treguar kështu se çfarë ka ndodhur deri më tani në këtë proces.

Ai në fjalën e tij tha se parimet kryesore të tij në dialogun me Serbinë janë pranimi i realitetit të Kosovës së pavarur nga ana e Serbisë, pranimi i krimeve që janë kryer në Kosovë nga ana e Serbisë, barazia e përfaqësuesve në dialog, ndërsa krahas kësaj tha se anëtarësimi i Kosovës në Kombet e Bashkuara dhe njohja e pesë shteteve të BE-së duhet të jenë në marrëveshjen përfundimtare.

Kryeministri i Republikës së Kosovës kërkoi konsensus të spektrit politik në lidhje me dialogun.

“Është e rëndësishme të ndërtojmë konsensus për këtë çështje. Ne jemi duke raportuar në komisione dhe Kuvend ende pa filluar dialogu. Unë kam ftuar krerët e opozitës dhe qasjen e dialogut e dini, se atë e kam përsëritur disa herë”, tha kryeministri Kurti.

Në fjalimin e tij kryeministri kritikoi marrëveshjet e deritanishme, duke shtuar se pala serbe në vazhdimësi ka minuar përpjekjet e përbashkëta për sukses.

“Si për shembull te energjia, menaxhimi i integruar i kufirit, shuarja e strukturave paralele, liria e lëvizjes, vulat doganore, përfaqësimi rajonal dhe të ngjashme”, tha Kurti.

Kryeministri Kurti kritikoi edhe qeveritë paraprake për siç tha ai dëmin që ia kanë shkaktuar vendit në dialog me Serbinë, ndërsa përmendi  edhe marrëveshjen e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, e cila sipas tij nuk ishte paraqitur ashtu siç është në realitet.

“Te marrëveshja për Asociacionin ishte raportuar që pala serbe ishte dakorduar që Asociacioni të themelohet krejtësisht në përputhje me Kushtetutën, po ashtu thuhej që Asociacioni nuk ka karakter një etnik dhe kjo mbështetet me arsyetimin se në komunat që pritej të jenë pjesë e asociacionit jetonin edhe nacionalitete tjera përveç atij serb”, tha Kurti.

Kryeministri i vendit theksoi edhe se cilat janë mësimet kryesore nga ecuria e deritanishme të procesit të dialogut me Serbinë.

“Njohja reciproke nga 5 shtetet e Bashkimit Evropian, anëtarësimi në Kombet e Bashkuara etj. Palët duhet të ndihen të barabarta në secilën fazë të diskutimeve”, tha kryeministri Kurti.

Pas prezantimit të kryeministrit në lidhje me ecurinë e procesit të dialogut, fjalën e morën përfaqësuesit e grupeve parlamentare.

Në emër të GP të Partisë Demokratike të Kosovës foli deputeti Enver Hoxhaj, i cili tha se Qeveria Kurti e ka shumë të gabuar qasjen në dialog, pasi që javën e ardhshme kryeministri, sipas tij, po shkon në Bruksel pa platformë, pa strategji dhe pa parime. Hoxhaj tha se ka pritur që në këtë seancë të flitet për një platformë me të cilën kryeministri do të shkojë në dialog.

“Po shkoni në dialog duke i shkelur zotimet e juaja që nuk do të shkoni pa kërkuar familje Serbia, pa u gjetur i zhdukuri i fundit, pa i paguar Serbia dëmet e luftës. Kjo është platforma juaj në 10 vitet e fundit. Keni thënë që nuk do të shkoni në dialog pa i anuluar marrëveshjet. Silli në Kuvend, anuloji marrëveshjet, votat i ke”, tha Hoxhaj.

Në emër të GP të Lidhjes Demokratike të Kosovës, deputeti Lumir Abdixhiku tha se kryeministri i Republikës së Kosovës po shkon tërësisht i papërgatitur në dialogun me Serbinë. Ai tha se para takimit të javës së ardhshme të kryeministrit Kurti me presidenti serb, Vuçiq në Bruksel, kreu i ekzekutivit në Kuvend do të duhej të fliste për parimet dhe platformën e dialogut, e jo për të kaluarën, duke paraqitur edhe pozicionin e partisë së tij për këtë proces.

“Parimi i parë është mbi pozicionin e Kosovës për këtë dialog, saktësisht që ky dialog mos të bëhet për Kosovën, por të bëhet mbi bazën e dy shteteve të barabarta dhe sovrane dhe këtu vendimi i GJND-së është aduti kryesor. Parimi i dytë është mbi refuzimin e çfarëdo dialogu që hap organizimin territorial dhe gjeografik të Kosovës. Parimi i tretë që Qeveria duhet ta vendos është rreth organizimit tonë kushtetues. Pakoja e Ahtisarit është kompromisi i fundit i Kosovës. Çfarëdo tendence është goditje e Kosovës. Parimi i katërt është rreth rezultatit përfundimtar e që është njohja e Kosovës”, tha Abdixhiku.

Nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës foli deputeti Ramush Haradinaj, i cili tha se krerët e institucioneve të Kosovës duhet të kërkojnë nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës një përfaqësues të posaçëm në dialog.

 “Pse kryeministri i Kosovës nuk i drejtohet presidentit amerikan së bashku me presidenten dhe kryeparlamentarin, qoftë edhe me partitë tjera, që t’i kërkojnë një emisar special për dialogun Kosovë-Serbi”, tha Haradinaj.

Ndërsa në emër të GP të Lëvizjes Vetëvendosje, deputeti Haki Abazi tha se qeveritë paraprake kanë shkuar në dialog të papërgatitura dhe se ka qenë një proces i fshehur.

“Keni thënë se nuk do bëjmë dialog politik se ky është vetëm dialog teknik. Jo që është folur për territorin, por edhe për resurset ekonomike të vendit dhe populli e ka kuptuar me kohë dhe i ka ndalur”, tha Abazi.

Seanca vazhdoi me diskutime nga ana e deputetëve të pozitës dhe opozitës, të cilat ballafaquan qëndrimet e tyre rreth procesit të dialogut.

Për çështjet e ngritura nga ana e deputetëve  në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, sqarime dha zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, me fjalën e të cilit edhe përfundoi debati lidhur me procesin e dialogut me Serbinë.

Në mungesë të deputetëve në sallë, kryetari i Kuvendit Glauk Konjufca propozoi që seanca me pikët e mbetura të vazhdojë të hënën prej orës 10:00.