Kuvendi i Republikës së Kosovës

Nga punimet e seancës plenare

22.07.2021
Seanca e rregullt plenare, e kryesuar nga kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca, filloi me deklarimet jashtë rendit të ditës dhe pyetjet parlamentare.
 
Në pyetjet e deputetëve përgjigje dhanë kryeministri Albin Kurti, ministri i Infrastrukturës, Mjedisit, Ambientit dhe Planifikimit Hapësinor Liburn Aliu dhe ministri i Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, Faton Peci.
 
Seanca vazhdoi punimet me shqyrtimin e Projektligjit nr. 08/L-014 për ratifikimin e Marrëveshjes financiare për IPA 2020 ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Bashkimit Evropian.
 
Këtë projektligj para deputetëve e prezantoi dhe arsyetoi zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili ftoi deputetët që ta mbështesin atë. Ai bëri të ditur se demokracia dhe qeverisja, sundimi i ligjit dhe të drejtat themelore, sektori i mjedisit dhe veprimeve klimatike; konkurueshmëria dhe inovacioni dhe sektori i arsimit, punësimit dhe politikave sociale janë sektorët ku do të fokusohen grantet nga marrëveshja IPA 2020.
 
Lidhur me projektligjin u deklaruan edhe grupet parlamentare. Arbëreshë Kryeziu Hyseni nga Lëvizja Vetëvendosje tha se duke e ditur rëndësinë dhe nevojën që vendi ka për këtë marrëveshje, GP i VV-së e mbështet projektligjin.
 
Ndërsa deputetja Blerta Deliu-Kodra nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës tha se e kuptojnë rëndësinë e një marrëveshjeje financiare mes Kosovës dhe BE-së dhe të njëjtën e përkrahin.
 
Deputetja Marigona Geci nga Lidhja Demokratike e Kosovës tha se partia e saj i voton marrëveshjet që janë në interes të vendit.
 
Kryetari i GP të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës Besnik Tahiri, tha se grupi i tij parlamentar e mbështet këtë marrëveshje, e cila sipas tij ka një rëndësi të veçantë, ngase, siç tha ai, prek jo vetëm aspektet që lidhen me ekonominë dhe investimet, por edhe sektorë të tjerë. Njëjtë u shpreh edhe deputeti Fridon Lala nga Grupi Multietnik.
 
Pas deklarimeve të përfaqësuesve të partive parlamentare, projektligji u hodh në votim, për të cilin 83 deputetë votuan për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim.
 
Seanca vijoi punimet me shqyrtimin e parë të Projektligjit për krijimin e Infrastrukturës Kombëtare të Informacionit Hapësinor në Republikën e Kosovës.
 
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu, tregoi objektivat e këtij projektligji, sipas të cilit është përcaktimi i qartë i përgjegjësive dhe kompetencave të institucioneve të Republikës së Kosovës që të merren me krijimin e të dhënave gjeo-hapësinore. Për këtë projektligj edhe deputetët e opozitës shprehën të gatshëm ta mbështesin dhe të japin kontributin e tyre mes dy leximeve. Për projektligjin votuan 68 deputetë, ndërkaq nuk kishte asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
 
Në vijim punimet vazhduan me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 08/L-011 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit Nr. 04/L-061 për shitjen e banesave për të cilat ekziston e drejta banesore.
 
Ministri i Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, Liburn Aliu duke paraqitur Projektligjin tha se gjatë përgatitjes së tij janë marrë në konsideratë rekomandimet dhe sugjerimet e ekspertëve vendorë dhe ndërkombëtarë.
 
Pas diskutimeve, me 74 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim Kuvendi miratoi në parim këtë projektligj. Po ashtu në parim u miratua edhe Projektligji për odat e arkitektëve dhe inxhinierëve në fushën e ndërtimit.
 
Pas pushimit seanca vijoi me shqyrtimin e parë të Projektligjit nr. 08/L-007 për masat për uljen e kostos së shtrirjes së rrjeteve të komunikimeve elektronike të shpejtësisë së lartë.
 
Këtë projektligj e prezantoi ministrja e Ekonomisë, Artane Rizvanolli, e cila kërkoi nga deputetët që ta mbështesin projektligjin.
 
Projektligji mori mbështetjen e 68 deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës, asnjë votë kundër dhe asnjë abstenim.
 
Në vijim Kuvendi shqyrtoi Projektligjin për identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.
 
Ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli, tha se projektligji ka për qëllim rregullimin e mënyrës së identifikimit elektronik të personave juridikë dhe fizikë, të kushteve të përdorimit të nënshkrimit elektronik, të vulës elektronike, vulës elektronike kohore dhe të pajisjeve për krijimin e tyre.
 
Me 66 vota për, asnjë kundër dhe një abstenim Kuvendi miratoi në shqyrtim të parë Projektligjin për Identifikimin elektronik dhe shërbimet e besuara në transaksionet elektronike.
 
Në shqyrtim të parë Kuvendi miratoi edhe Projektligjin nr. 08/L-018 për tregtinë me produkte të naftës dhe karburante të ripërtërishme dhe Projektligjin nr. 08/L-021 për tregti me jashtë. Po ashtu deputetët, me 75 vota për, asnjë abstenim dhe asnjë kundër i dhanë mbështetje edhe Projektligjit nr. 08/L-004 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit nr. 05/L-132 për automjete. 
 
Në fund u shqyrtuan rekomandimet e Komisionit për Mbikëqyrjen e Financave Publike lidhur me Raportin e Auditimit të pasqyrave vjetore financiare të N.P Hortikultura për vitin 2020.
 
Pas diskutimit rekomandimet e Komisionit në fjalë nuk morën mbështetjen e deputetëve. Kryetari Konjufca njoftoi se kjo pikë shtyhet për një mbledhje tjetër dhe me këtë edhe u përmbyllën punimet e seancës së sotme.