Kuvendi i Republikës së Kosovës

U konstituua Komisioni për Integrime Evropiane

13.04.2021

Komisioni për Integrime Evropiane, mbajti sot mbledhjen konstituive, të kryesuar nga kryetarja Rrezarta Krasniqi.
Fillimisht, kryetarja Krasniqi sqaroi se Komisioni do t’i ketë 11 anëtarë, ndërkaq shpalosi në detaje edhe fushëveprimtarinë e Komisionit. Tutje, ajo theksoi faktin se për shkak të pandemisë është lënë anash procesi i integrimit evropian. 

Anëtarë të Komisionit, gjatë këtij takimi diskutuan për çështje të ndryshme që ndërlidhen me procesin e integrimit evropian, mirëpo temë kryesore e këtij takimi ishte çështja e vaksinimit. Mes tjerash, u dhanë propozime që Komisioni të kërkojë përkrahje në këtë aspekt nga vendet e BE-së dhe që lidhur me këtë të zhvillojë takime me zyrtarë të BE-së në Kosovë. Gjithashtu pati mendime që kjo çështje fillimisht të diskutohet dhe të koordinohet me Ministrinë e Shëndetësisë. 
Krejtësisht në fund, anëtarët vlerësuan se këtë Komision e pret një dinamikë e madhe e punës.